Buletini i FSFE-së, Shkurt 2018

press at fsfe.org press at fsfe.org
Wed Feb 21 16:26:18 CET 2018


 = Buletini i FSFE-së, Shkurt 2018 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201802.sq.html ]

 == Barcelona është qyteti i parë këshilli bashkiak i të cilit i bashkohet fushatës së FSFE-së "Para Publike? Kod Publik!" ==

“Fondet që vijnë nga qytetarët duhet të investohen në sisteme që mund të
ripërdoren dhe që janë të hapët ndaj ekosistemit lokal” shprehet
Francesca Bria, komisionere për Teknologjinë dhe Novacionin Dixhital të
Barcelonës. Ajo është motori pas Planit bashkiak të Shndërrimit
Dixhital, i cili - mes të tjerash - synon të rrënjosë në administratën e
bashkisë përdorimin e Software-it të Lirë dhe të të dhënave të hapura.

Hap pas hapi, krejt aplikacionet kyçe duhet të zëvendësohen me zgjidhje
nga Software-i i Lirë, deri sa bashkia të zëvendësojë më në fund
sistemin e vet të tanishëm, të bazuar në Windows, me një sistem të
përshtatshëm GNU/Linux. Përmes kësaj, Barcelona është drejt arritjes dhe
garantimit “të sovranitetit të plotë teknologjik” [1] për bashkinë. Deri
në prill të 2019-s, kur mbaron mandati i tanishëm, këshilli bashkiak ka
planifikuar të shpenzojë 70 përqind të buxhetit të vet për software me
burim të hapët.

Me këtë në mendje, Barcelona është qyteti i parë këshilli bashkiak i të
cilit ka nënshkruar Letrën e Hapur [2] të fushatës tonë "Para Publike?
Kod Publik!". FSFE-ja është shumë e gëzuar tek sheh një nga zonat më të
mëdha metropolitane të Europës të lëvizë drejt Software-it të Lirë, dhe
i uron Barcelonës sa më shumë sukses!

 == Dita E dua Software-in e Lirë ==

Çdo vit, bashkësia jonë kremton më 14 shkurt "Ditën E dua Software-in e
Lirë". Raporti ynë për kremtimet e këtij viti vjen së shpejti, por duam
t’ju falënderojmë për qindra deklarata dashurie të bëra përmes kanalesh
mediash shoqërore, foto personash duke kremtuar projektet e tyre të
parapëlqyer Software i Lirë, b.f., Developers Italia [3], montazhe shumë
të bukur si ai nga Grise Bouille [4], si dhe postimet e shumta
informuese në blogje mbi përfitimet që sjell Software-i i Lirë. Pamë
madje njerëz të hapin çështje në platforma zhvillimi projektesh [5],
vetëm për të thënë “Faleminderit!” në "Ditën E dua Software-in e Lirë".

Faleminderit që kremtoni me ne dhe qëndroni të sintonizuar për raportin
e hollësishëm së shpejti.

--------------------------------------------------------------------

Bëhuni pjesë e bashkësisë tonë të luftëtarëve të lirisë. [6]

--------------------------------------------------------------------

 == Ç’kemi bërë tjetër? Brenda dhe Jashtë FSFE-së ==

- Një ditë para FOSDEM-it, FSFE-ja sërish, tok me OpenForum Europe,
  organizoi edicionin e tretë të "European Free Software Policy Meeting"
  [7], për të diskutuar çështjet politike më të rëndësishme të tanishme
  në shkallë europiane lidhur me Software-in e Lirë.

- Ekipi i FSFE-së për Italinë po zhvillon një fushatë "Pyetni kandidatët
  tuaj" [8] dhe u dërgoi partive pjesëmarrëse në zgjedhjet kombëtare të
  Italisë, që do të mbahen më 4 Mars, një grup pyetjesh mbi përdorimin
  dhe promovimin e Software-it të Lirë.

- "besondere elektronische Anwaltspostfach (beA)" është një software i
  financuar me para publike që synon të vendosë një komunikim të sigurt
  mes avokatësh në Gjermani, duke filluar nga janari 2018. Përdorimi i
  tij, megjithatë, është i ndaluar, për arsye të shumta sigurie. FSFE-ja
  botoi një letër të hapur [9] për të kërkuar publikimin e plotë të
  beA-s nën një licencë Software-i të Lirë.

- Gjatë kongresit të 34-t Chaos Communication Congress, FSFE-ja, tok me
  EDRi-n, organizuan një kluster të quajtur “Të drejta & Liri”, me një
  rrjedhë të vetën mbi lirinë. Erik Albers shkroi në blogun e tij një
  raport mbi këtë [10].

- Daniel Pocock, përfaqësuesi i bashkësisë së FSFE-së, shkruan mbi
  Gjithçka që nuk e dinit mbi FSFE-në, si në një foto [11], në të cilin
  analizon marrëdhëniet mes nëpunësve, këshillit, bashkësisë dhe
  Asamblesë së Përgjithshme.

- Vanitasvitae raporton [12] rreth udhëtimit të tij në XSF-summit,
  FOSDEM dhe rëndësinë e librarive XMPP

- Daniel Pocock i dërgoi një email bashkësisë së FSFE-së [13] në të
  cilin reflektohet mbi procesin e anëtarësimit në Asamblenë e
  Përgjithshme, procesin e identitetit të FSFE-së dhe udhëtimet e tij
  personale.

- Sebastian Schauenburg sjell idetë e veta rreth ndarjes me të tjerët të
  URL-ve vendore OsmAnd dhe Geo [14]

- Polina Malaja, analiste politikash në FSFE, shkruan rreth përgjigjes
  tonë në konsultimet publike "PSI Directive" [15] që, me dy fjalë,
  kërkon të përfshihet kodi burim në listën e të dhënave të ripërdorshme
  të sektorit publik.

 == Mos humbni rastin! Veprimtari s’afërmi me FSFE-në ==

Jemi të lumtur të shohim të zhvillohet një takim i parë lokal i FSFE-së
në Madrid, Spanjë, më 22 shkurt [16] dhe më 3 Mars [17]. Urojmë që krejt
pjesëmarrësit ta shpenzojnë kohën gjatë takimit në rrugë pozitive dhe të
frytshme. Nëse jeni prej zonës, mos e humbni rastin.

Meqë ra fjala: Nëse s’ka ndonjë grup vendor FSFE-je në zonën tuaj, por
do të donit të fillonit një të tillë, lidhuni me bashkërenduesin tonë të
bashkësive, Erik Albers [18] i cili do të jetë i lumtur t’ju ndihmojë në
hapat e parë.

 == Aktivizohuni ==

Keni gjetur në internet një histori interesante rreth Software-it të
Lirë dhe doni ta ndani me ne? Apo keni një pyetje që do të donit ta
diskutonit me të tjerë veprimtarë të Software-it të Lirë? Apo doni të
lajmëroni veprimtarinë tuaj të ardhshme të Software-it të Lirë ose të
raportoni mbi një të tillë së fundi? Postojeni në një nga listat tona
publike dhe ndajeni me bashkësinë! Kemi lista postimi aktive në anglisht
[19], gjermanisht [20], spanjisht [21], dhe greqisht [22].

Nëse banoni në Itali, lidhuni me kandidatët tuaj vendorë gjatë fushatës
së tanishme elektorale, tregojuni fushatën tonë "Para Publike? Kod
Publik!" dhe drejtojuni pyetjet që u kemi dërguar edhe partive
pjesëmarrëse [23] ose pyetje të ngjashme me to.

 == Jepni ndihmesë te buletini ynë ==

Nëse doni të ndani me të tjerët mendime, foto, ose lajme, na i dërgoni.
Adresa është gjithmonë newsletter at fsfe.org. Presim lajme nga ju!

Falënderime për krejt bashkësinë tonë, për krejt vullnetarët [24],
përkrahësit [25] dhe dhuruesit [26] që bëjnë të mundur punën tonë. Dhe
falënderime për përkthyesit tanë [27], që ju bëjnë të mundur ta lexoni
këtë buletin në gjuhën tuaj amtare.

Redaktori juaj, Erik Albers

--------------------------------------------------------------------

Bëhuni pjesë e bashkësisë tonë të luftëtarëve të lirisë. [28]

--------------------------------------------------------------------

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1: http://ajuntament.barcelona.cat/digital/en/digital-transformation/technology-for-a-better-government/open-software
  2: https://publiccode.eu/#action
  3: https://twitter.com/developersITA/status/964060999899860992
  4: https://grisebouille.net/wp-content/uploads/2018/02/tad_024_ilovefs.jpg
  5: https://github.com/westnordost/StreetComplete/issues/866
  6: https://fsfe.org/join/nl2018-02
  7: https://fsfe.org/news/2018/news-20180215-01
  8: https://fsfe.org/news/2018/news-20180219-01
  9: https://fsfe.org/campaigns/publiccode/bea
 10: http://blog.3rik.cc/2018/02/fsfe-assembly-at-34c3-wir-taten-was/
 11: https://danielpocock.com/everything-you-didnt-know-about-fsfe-in-a-picture
 12: https://blogs.fsfe.org/vanitasvitae/
 13: https://danielpocock.com/our-future-relationship-with-fsfe-2018
 14: https://www.schauenburg.nl/posts/2018/01/26-local-osmand-and-geo-urls/
 15: https://blogs.fsfe.org/polina/2017/12/13/fsfe-asks-to-include-software-into-the-list-of-re-usable-public-sector-information/
 16: https://wiki.fsfe.org/Events/2018/0222-encuentro-local-madrid#head-03d1f2ac6d4d5cbd79007a7f665302c522d7d2b4
 17: https://wiki.fsfe.org/Events/2018/0303-encuentro-grupo-local-madrid#head-3778ef44968968dd3aaa71135b6e78f7b37dc6d0
 18: https://fsfe.org/about/albers/albers
 19: https://lists.fsfe.org/mailman/listinfo/discussion
 20: https://lists.fsfe.org/mailman/listinfo/fsfe-de
 21: https://mail.fsfeurope.org/mailman/listinfo/spain
 22: https://lists.fsfe.org/mailman/admin/fsfe-el
 23: https://fsfe.org/news/2018/news-20180219-01
 24: https://fsfe.org/contribute/contribute
 25: https://fsfe.org/join
 26: https://fsfe.org/donate/thankgnus
 27: https://fsfe.org/contribute/translators/translators
 28: https://fsfe.org/join/nl2018-02


More information about the Newsletter-sq mailing list