Buletini i FSFE-së - Prill 2018

press at fsfe.org press at fsfe.org
Fri Apr 20 17:19:26 CEST 2018


 = Buletini i FSFE-së - Prill 2018 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201804.sq.html ]

 == Ligjvënësve të BE-së iu dorëzohen më shumë se 11 000 nënshkrime që kërkojnë ndryshimin e propozimit të reformës së rrezikshme mbi të drejtat e kopjimit ==

Më 19 Mars, Free Software Foundation Europe tok me OpenMedia, depozituan
së bashku një peticion të më shumë se 11 000 individëve që u kërkojnë
politikanëve europianë të shpëtohet interneti nga ndikimi i pakthyeshëm
i rrezikshëm i reformës së ndërrmarë mbi të drejtat e kopjimit, dhe
veçanërisht nenit të 13-të [1] të saj që imponon bllokim parandalues të
depove internetore të kodit. Këto nënshkrime u drejtohen
bashkëpunëtorëve të propozimit në BE: Parlamentit Europian dhe Këshillit
Bashkimit Europian, dhe u morën në dorëzim nga eurodeputetja Julia Reda,
raportuesi hije në Komitetin e Çështjeve Ligjore në Parlamentin Europian
(JURI) që udhëheq përpjekjen kryesore parlamentare lidhur me reformën e
tanishme të të drejtave të kopjimit.

Krejt nënshkrimet u mblodhën së bashku përmes fushatës tonë Save Code
Share [2], e cila nxjerr në pah kërcënimet që reforma e tanishme e të
drejtave të kopjimit në BE imponon mbi Software-in e Lirë, dhe ajo Save
the Link [3] që thekson se si propozimet e tanishme synojnë censurimin e
lidhjeve /online/.

Edhe pse duket e vështirë të arrihet një anulim i plotë i nenit 13, kemi
parë zhvillime pozitive të pozicionit të JURI-t, kur vjen puna te
rishikimi i tekstit të propozuar fillimisht [4] nga Komisioni Europian.
Amendamentet kompromis të propozuara thonë, mes të tjerash, që shërbimet
depo kodi do të përjashtohen nga detyrimi për të instaluar filtra
arbitrarë dhe për të mbikëqyrur veprimtarinë e përdoruesve të tyre.
Megjithatë, në tekstin e tanishëm, kjo aplikohet vetëm mbi shërbime
deposh kodi që funksionojnë për qëllime “jokomerciale”. Një referencë e
tillë ndaj shërbimesh “jokomerciale” ende lë jo pak hapësirë për
paqartësi ligjore, kur vjen puna te përgjegjësia ligjore e shërbimeve
internetore deposh kodi. Për ta përmbledhur, neni 13 ende vazhdon të
jetë një kërcënim ndaj Software-it të Lirë që, sipas asnjë përkufizimi,
s’lidhet me “jokomercialen”.

Tok me Open Forum Europe dhe aleatë të tjerë, do të vazhdojmë të punojmë
fort që ligjvënësit të kuptojnë dallimet dhe nevojat e Software-it të
Lirë në Europë. Nëse doni të përkrahni punën tonë, nënshkruani letrën
tonë [5], tregojuni njerëzve për të ose ndihmonani me përkrahje
financiare [6].

--------------------------------------------------------------------

Bëhuni pjesë e bashkësisë tonë të luftëtarëve të lirisë. [7]

--------------------------------------------------------------------

 == Ç’kemi bërë tjetër? Brenda dhe Jashtë FSFE-së ==

- Hacker-at tanë të sistemit vunë në punë një instancë Discourse [8], si
  një shërbim i furnizuar nga FSFE-ja dhe i mirëmbajtur nga vullnetarë.
  Është ende në fazë beta dhe hëpërhë shërben si një test për tema të
  caktuara. Mandej me kalimin e kohës do të peshojmë nëse është i
  volitshëm për platformën e komunikimit në FSFE dhe për bashkësinë.
  Dëshirojmë t’ju ftojmë të bëheni pjesë e këtij shërbimi të ri, të na
  ndihmoni ta përmirësojmë dhe të kënaqeni duke e përdorur:
  https://community.fsfe.org/

- Isabel Drost-Fromm botoi deklaratën e kandidimit të saj [9] për në
  bordin e Apache Software Foundation, si ndihmë në sjelljen e më tepër
  transparence për njerëzit jashtë fondacionit.

- Jens Lechtenbörger shpjegon se si i përdor kartelat e tejtëdhënave dhe
  /emacs-reveal/ për të shfaqur vetvetiu [10] të dhënat e duhura për
  licencim dhe atribuim në prezantimet e veta.

- Daniel Kulesz krahason ROM-e të ndryshme [11] për telefona Android,
  lidhur me çështje të lirisë që përmbajnë, sigurisë, asistencës dhe
  aspekte të tjera.

- Ekipi i FSFE-së për Italinë qe i pranishëm në "Merge-it" me një sesion
  mbi fushatën tonë “Para Publike? Kod Publik!” dhe gjendjes së tanishme
  të sendërtimit të ideve të saj në Itali dhe BE.

- Hacker-at e Sistemit [12] zhvilluan një takim gjatë Pashkëve, për të
  biseduar se si të përmirësohet funksionimi i brendshëm i ekipit dhe
  shërbimet dixhitale të ofruara nga FSFE-ja. Ekipi mundi të caktojë
  rregulla të reja lidhur me mirëmbajtjen e shërbimeve, të shtojë më
  tepër dokumentim, të përcaktojë hapat e nevojshëm për garantimin e
  përputhjes me GDPR-në, dhe ra dakord lidhur me synimet afatgjata.

 == Hidhuni Në Veprim ==

Takimi i bashkësisë së FSFE-së për 2018-n do të jetë pjesë e Libre
Software Meeting (LSM, i njohur edhe si RMLL) në Strasbourg, dhe
anasjelltas. LSM-ja është ndoshta takimi më i madh në Francë i
organizuar nga bashkësitë e Software-it të Lirë, ndaj ofron një mjedis
të shkëlqyer për takimin e bashkësisë së FSFE-së, dhe për t’u lidhur me
bashkësinë më të gjerë të Software-it të Lirë. Me këtë rast, FSFE-ja do
të organizojë një pistë të vetën gjatë veprimtarisë, në ditët e para të
LSM-së, më 7/8/9 korrik. Ftesa për pjesëmarrje [13] është e hapur deri
më 30 prill. Mos humbni rastin. Ky është shansi juaj për të ndërthurur
pjesëmarrjen në takimin e bashkësisë së FSFE-së dhe të mbajtjes së një
fjale apo bisede në LSM 2018 në të njëjtën kohë.

Ndaj, përpara se të harroni, aplikoni që tani [14]!

Një nga temat tona do të jetë "Edukimi Dixhital" [15] - një temë që
shtrihet nga edukimi shkollor te njohja e programimit e deri te të
kuptuarit e koncepteve etike pas teknologjisë së informacionit. Por jeni
të lirë të propozoni tema të tjera. Përgjithësisht, po shohim për fjalë
dhe biseda frymëzuese, dhe praktika që mbulojnë kafazet e artë dhe
çlirimin e përdoruesve - në mjedise edukative dhe në jetën e përditshme.

 == Kontribuoni te buletini ynë ==

Nëse do të donit të ndanit me ne mendime, foto apo lajme, na i dërgoni.
Si përherë, adresa është newsletter at fsfe.org [16]. Presim t’ju dëgjojmë!

Falënderime bashkësisë sonë, krejt vullnetarëve [17], përkrahësve [18]
dhe dhuruesve [19] që bëjnë të mundur punën tonë. Falënderime edhe për
përkthyesit tanë [20], që ju bëjnë të mundur ta lexoni këtë buletin në
gjuhën tuaj amtare.

Redaktorët tuaj,

Erik Albers dhe Polina Malaja

--------------------------------------------------------------------

Bëhuni pjesë e bashkësisë sonë të lirisë. [21]

--------------------------------------------------------------------

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1: https://fsfe.org/news/2017/news-20171130-01
  2: https://savecodeshare.eu/
  3: https://savethelink.org/
  4: https://ec.europa.eu/digital-single-market/en/news/proposal-directive-european-parliament-and-council-copyright-digital-single-market
  5: https://savecodeshare.eu/#sign-letter
  6: http://fsfe.org/join/savecodeshare
  7: https://fsfe.org/join/nl2018-04
  8: https://community.fsfe.org/
  9: http://blog.isabel-drost-fromm.de/posts/my-board-nomination-statement-2018.html
 10: http://blogs.fsfe.org/jens.lechtenboerger/2018/04/01/oer-figures-with-license-meta-data-in-emacs-reveal/
 11: https://blogs.fsfe.org/kuleszdl/2018/04/02/looking-for-a-secure-smartphone-running-only-free-software-good-luck/
 12: https://wiki.fsfe.org/Teams/System-Hackers
 13: https://fsfe.org/news/2018/news-20180414
 14: https://rmll2018.info/conferences/RMLL2018/program/proposals/new
 15: https://2018.rmll.info
 16: https://fsfe.org/mailto:newsletterATfsfeDOTorg
 17: https://fsfe.org/contribute/contribute
 18: https://fsfe.org/join
 19: https://fsfe.org/donate/thankgnus
 20: https://fsfe.org/contribute/translators/translators
 21: https://fsfe.org/join/nl2018-04


More information about the Newsletter-sq mailing list