Buletini i FSFE-së - Maj 2016

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Mon May 2 15:43:48 CEST 2016


 = Buletini i FSFE-së - Maj 2016 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201605.sq.html ]

 == Me licencimin FRAND, BE-ja vë në rrezik synimet e veta mbi standardizimin ==

Si pjesë e strategjisë për Treg të Përbashkët Dixhital, Komisioni
Europian ka botuar një material rreth përparësive në standardizimin
TIK[1] si një nga faktorët kyçë në ekonominë dixhitale. FSFE-ja mirëpret
frymën e përgjithshme të trajtimit të shpërfaqur në material në favor të
standardeve më të hapura dhe përfshirjes më të gjerë të bashkësive të
Software-it të Lirë në proceset e standardizimit.

Megjithatë, dokumentit i mungon kuptimi i saktë i kushteve të licencimit
në patenta thelbësore për standardet, çka do të mundësonte përfshirjen e
Software-it të Lirë në proceset e vënies së standardeve. Në mënyrë të
veçantë, FSFE-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me promovimin e
kushteve të licencimit të ashtuquajtur "të paanshëm, të arsyeshëm, dhe
jodiskriminues (FRAND)[2] të cilat në praktikë janë të papërputhshme me
Software-in e Lirë. Në këtë mënyrë, dokumenti vë në rrezik krejt
përpjekjet e bëra nga Komisioni Europian për integrimin e bashkësive të
Software-it të Lirë në standardizim.

 == Komisioni Europian vs Google Android ==

Më 20 Prill, Komisioni Europian parashtroi akuzat e veta lidhur me
praktika biznesi të kompanisë Google për sa i përket sistemit operativ
Android[3]. Sipas Komisionit, Google po abuzon me pozicionin e vet
zotërues të tregut duke parainstaluar dhe vënë si parazgjedhje
aplikacionet Google Search, Google Play Store dhe Google Chrome në
shumicën e pajisjeve Android të shitura në Europë. Këto praktika u zënë
rrugën e hyrjes në treg motorëve konkurrentë të kërkimit.

FSFE-ja ka shprehu edhe më parë shqetësimet e veta lidhur me ankesën
kundër shpërndarjes falas të Android-it[4] që i është parashtruar
Komisionit Europian nga një koalicion i disa mundësuesve të shërbimeve
në internet, të cilët pretendonin që kjo praktikë është e dëmshme për
konkurrencën. Ne u shprehëm kundër ankesës, ngaqë ajo minon krejt
thelbin e licencimit të Software-it të Lirë, dhe gëzohemi teksa shohim
që Komisioni në çështjen e vet antitrust kundër kompanisë Google, e
hodhi poshtë atë ankesë.

 == Nga bashkësia ==

Guido Arnold, bashkërenduesi ynë i ekipit mbi arsimin, përmblodhi
aspekte ligjore dhe veprimtari që mund të organizohen, kur shkolla
publike e bëjnë MS Office-in të detyrueshëm.[5]

-
Vitaly Repin botoi kursin e Richard Stallman-it "Drejt Shoqërisë së Lirë
Dixhitale" në formatet Moodle Backup dhe IMS Common Cartridge[6], dhe
fton gjithkënd të japë përshtypjet dhe të promovojë kursin në kanalet e
veta.

-
Qëkur Let’s Encrypt e kaloi fazën e provave beta, Michal Nazarewicz e
përdor dhe e promovon këtë autoritet të ri dëshmish që furnizon dëshmi
TLS falas[7]: "Nëse xhironi shqërbyesin tuaj, s’ka përligjje për të mos
përdorur TLS-në".

-
Björn Schießle shkruan në blog mbi një aplikacion të vetëstrehueshëm për
ruajtje faqesh web, "Wallabag", dhe rreth mirëmbajtjes së tij në një
shërbim strehimi web të përbashkët me strehë të tjera[8].

-
Marcus Moeller shpjegon si të rregullohet një Freedombox në një Beagle
Bone Black, për të patur një blog të vetëstrehuar përmes hardware-i të
hartuar lirisht dhe qenë nevoja të përdoret software pronësor[9].

-

 == Ç’kemi bërë tjetër? ==

Zhvilluam për herë të tetë zgjedhjet e një përfaqësuesi nga Anëtarësia
Shok që do të përfaqësojë bashkësinë tonë, dhe atë të anëtarësisë shok,
në asamblenë e përgjithshme të FSFE-së[10]. Edhe pse patëm vetëm një
kandidat, dëshirojmë të falënderojmë dhe përgëzojmë Mirko Boehm-in për
kandidaturën dhe për zgjedhjen e tij[11].

-
Tashmë kemi mbi 30 organizma dhe kompani që u bashkuan me ne në
propozimin e masave për institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare të saj
lidhur me shmangien e pasojave negative mbi të drejtat e përdoruesve dhe
Software-in e Lirë të imponuara nga Direktiva e BE-së mbi Pajisjet
Radio, 2014/53/EU, aka 'Direktiva e Bllokimit Radio'[12]. Deklarata e
përbashkët është e hapur për nënshkrim kundër pasojave negative që
'Direktiva e Bllokimit Radio' sjell mbi lirinë e software-it, të drejtat
e përdoruesve, konkurrencën e paanshme, risitë, mjedisin dhe
vullnetarizmin.

-
FSFE-ja u bë gjithashtu pjesë e një koalicioni organizmash që luftojnë
sendërtimet negative të 'Direktivës së Bllokimit Radio' në Francë. Të
tërë tok nënshkruanm një letër të hapur për qeverinë frënge dhe për
Autoritetin Frëng Rregullator të Telekomunikacioneve (ART)[13] për të
bërë të mundur që sendërtimi i 'Direktivës së Bllokimit Radio' në Francë
nuk do të dëmtojë Software-in e Lirë.

-
Në rrugën tonë për t’u bërë më transparentë dhe përfshirës, botuam
përkushtimin tonë ndaj transparencës[14], në një vijë me udhëzimet nga
Transparency International Germany.

-
Shumë nga dokumentet tona fillestare mbi strukturën dhe financimet
s’janë përditësuar më, që nga koha kur FSFE-ja kaloi nga një rreth i
vockël vullnetarësh në një organizëm me të punësuar, me një program
anëtarësie shok dhe një bashkësi prej mijëra vetësh. Ndaj kemi filluar
të rishohim "Konceptin e Vetes"[15], për të pasqyruar më mirë procesin
tonë të pjekur të vendim-marrjes. Jonas Öberg, drejtori i përgjithshëm i
FSFE-së, ofron në blogun e tij idetë dhe mendimet e veta rreth hapave të
mundshëm të ardhshëm lidhur me strukturën dhe anëtarësinë në FSFE[16].

-
Sa për pjesën e padukshme të punës tonë, kemi vënë në funksion për herë
të parë një sistem parashtrimi çështjesh të ngritur mbi OTRS-në[17].
Edhe pse në pamje të parë duket se kjo nuk prek shumë vetë
drejtpërsëdrejti, bashkësia jonë në tërësi, me kalimin e kohës, do të
përfitojë nga kontrolli më i fuqishëm i rrjedhës së punës. Gjithashtu,
kjo duhet të hapet për përdorim edhe nga vullnetarë.

-
Praktika vjetore e FSFE-së mbi licencimin, LLW, u zhvillua më 13 - 15
Prill, në Barcelonë, Spanjë. Veprimtaria shërben për mbledhjen e
avokatëve nga krejt bota për të diskutuar problemet më të mprehta në
licencimin e Software-it të Lirë dhe ato të lidhura me të. Këtë vit pati
një numër rekord pjesëmarrësish, dëshmi e interesit dhe rëndësisë
gjithnjë në rritje të Software-it të Lirë në licencim software-i.

-

 == Hidhuni Në Veprim ==

Nga 2 – 4 Shtator, 2016, do të zhvillohet takimi i parë i përgjithshëm i
FSFE-së, një veprimtari kushtuar bashkësisë sonë. Për ta bërë të veçantë
dhe tërheqës për këdo, kemi lëshuar javën e shkuar një Thirrje për
Pjesëmarrje[18] për krejt anëtarët tanë shok dhe te listat tona të
postimeve. Përfitoni nga rasti dhe bëhuni pjesë e veprimtarisë kryesore
të FSFE-së për 2016, duke u bërë një folës ose vullnetar, duke
organizuar një praktikë ose veprimtari tjetër.

 == Lajme të mira nga Software-i i Lirë ==

Ministria e Financës dhe Administratave Publike në Spanjë botoi
zgjidhjen e saj, të bazuar në web, për arkivimin e kartelave elektronike
nën licencë Software-i të Lirë[19]. As Franca s’mbete prapa dhe së fundi
botoi kodin burim të përllogaritësin fiskal të përdorur nga administrata
fiskale frënge në llogaritjen e taksave mbi të ardhura për individët në
Francë[20], si rrjedhojë e një çështjeje gjyqësore në gjykatën
administrative të Parisit që arriti në përfundimin se kodi burim i një
software-i të shkruar nga dhe për autoritetet publike duhet konsideruar
si informacion publik që mund të përdoret lirisht.

Falënderime për krejt vullnetarët[21] , anëtarët shok[22] dhe korporatat
dhuruese[23] që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj Polina Malaja dhe Erik Albers, FSFE[24]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://ec.europa.eu/digital-single-market/en/news/communication-ict-standardisation-priorities-digital-single-market
  2. https://fsfe.org/news/2016/news-20160428-02
  3. http://europa.eu/rapid/press-release_STATEMENT-16-1506_en.htm?locale=en
  4. https://fsfe.org/activities/policy/eu/20130729.EC.Fairsearch.letter.en.html
  5. https://blogs.fsfe.org/guido/2016/04/public-schools-making-ms-office-mandatory/
  6. https://blogs.fsfe.org/vitaly_repin/2016/04/14/course-on-the-road-to-the-free-digital-society-is-available-in-moodle-and-ims-common-cartridge-formats-now/
  7. http://mina86.com/p/tls-is-a-yes/
  8. http://blog.schiessle.org/2016/04/16/installing-wallabag-2-on-a-shared-web-hosting-service/
  9. https://blogs.fsfe.org/mmoeller/2016/04/20/setting-up-a-freedombox-on-bbb-to-host-a-blog/
 10. https://fsfe.org/about/team.en.html#general-assembly
 11. https://fsfe.org/news/2016/news-20160502-01
 12. https://fsfe.org/activities/radiodirective/statement
 13. https://fsfe.org/news/2016/news-20160406
 14. https://fsfe.org/about/transparency-commitment
 15. https://blogs.fsfe.org/jonas/?p=60
 16. https://blogs.fsfe.org/jonas/?p=50
 17. http://blogs.fsfe.org/jonas/?p=65
 18. https://wiki.fsfe.org/Events/Summit2016/CallForParticipation
 19. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/spain-publishes-file-archive-tool-open-source
 20. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/france-unveils-source-code-income-tax-application
 21. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 22. http://fellowship.fsfe.org/join
 23. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 24. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list