Buletini i FSFE-së - Mars 2016

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Wed Mar 2 16:08:46 CET 2016


 = Buletini i FSFE-së - Mars 2016 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201603.sq.html ]

 == Dita "E dua Software-in e Lirë" 2016 ==

Për të gjashtin vit rresht i kërkuam kujtdo që ditën e Shën Valentinit
të shprehë mirënjohjen dhe vlerësimin e tyre ndaj kontribuesve në
Software-in e Lirë. Hidhini një sy raportit tonë #ilovefs 2016 dhe
shihni se kujt i shkoi mirënjohja këtë vit, përmes postimesh, fotosh,
punësh grafike, memesh, shënimesh personale, etj[1]. Mos harroni t’i
vini shenjë 14 Shkurtit të ardhshëm si Dita "E dua Software-in e Lirë",
që të vazhdohet kjo traditë e bukur e mirënjohjes ndaj njerëzve dhe
punës së palodhur të gjithkujt pas Software-it të Lirë. Falënderojmë
krejt pjesëmarrësit që gjetën kohë të thonë "faleminderit" dhe që e
shndërruan #ilovefs 2016 në një sukses të tillë!

 == "S’ka re" u përhap në mënyrë virale ==

Pikërisht para Ditës "E dua Software-in e Lirë", falë një postimi
spontan në Reddit, patëm mbi 200 porosi për materiale tonat
promocionale[2] në një interval 48 orësh. Sa për krahasim, gjatë 2015-s
morëm rreth 370 porosi gjithsej. Pas 24 orësh na kishin mbërritur më
shumë porosi se sa zakonisht në gjashtëmujor. Shumica e porosive
kërkonin materialin "s’ka re", por, veç tij, njerëzit porositën edhe
fletëpalosjen tonë me të dhëna bazë mbi Software-in e Lirë,
fletëpalosjen mbi GnuPG-në, dhe atë mbi F-Droid-in.

 == Takimi Europian për Politika të Software-it të Lirë 2016 ==

Në fund të Janarit, tok me Open Forum Europe organizuam në Bruksel një
takim para FOSDEM-it, me grupe europiane aktive në politika të Software-
it të Lirë[3]. Qëllimi i takimit qe njohja me veprimtarinë e njëri-
tjetrit dhe shkëmbimi i mendimeve, me theksin te veprimet e lidhura me
politika publike. Morën pjesë gjithsej 19 organizma. Veç tyre, në takim
morën pjesë edhe eurodeputetja Julia Reda, dhe një përfaqësues i degës
TI të Komisionit Europian, Pierre Damas, për të paraqitur punën e
instituteve të BE-së në fushën e Software-it të Lirë.

 == Nga bashkësia ==

Shkurti iu kushtua deklaratave të ëmbla të dashurisë për Software-in e
Lirë, me rastin e ditës #ilovefs. Hidhini një sy raportit tonë për
#ilovefs 2016, të cilit i referohemi më sipër, për të dhëna më të
hollësishme rreth postimesh të ndryshme mbi të, dhe për t’u frymëzuar
për kremtimin e ardhshëm vitin tjetër, nga ideja e Florian Snow-it për
banderola #ilovefs DIY[4].

-
Paul Boddie përdori programim në Python me kompjuter të vjetër dhe
shkroi se si të bëhen programet Python më të shpejtë me ndihmën e
Shedskin-it[5].

-
Marcus Moeller dha këshilla se si t’ia fillohet me rrjetin shoqëror të
federuar GNU social[6].

-
Björn Schießle përsiat mbi të ardhmen e GitHub-it dhe brezit të ardhshëm
të platformave për strehim kodi[7].

-

 == Ç’kemi bërë tjetër? ==

Pas adoptimit nga Parlamenti Europian të raportit të vet "Drejt një
Tregu të Përbashkët Dixhital", i cili përfshiu disa referenca pozitive
për shtimin e përdorimit të Software-it të Lirë në sektorin publik, u pa
se kuptimi i "i lirë" humbi gjatë përkthimit. Veçanërisht, versioni
italian i raportit i referohej Software-it të Lirë si "gratis", si tek
"birrë falas", në vend se "i lirë" si tek fjala liri. Ne i kërkuam
stafit të eurodeputetes Julia Reda të na ndihmonte dhe të tërhiqnim
vëmendjen e autorëve të raportit te ky gabim. Gabimi u ndreq dhe
versioni italian i raportit tani i referohet si duhet lirisë së
software-it, dhe jo çmimit[8].

-
Kemi thjeshtuar proceset tona të brendshme: s’duhet më që dikush që
kërkon të ndihmojë me faqet tona web ose në ekipe të tjera të
regjistrojë një llogari vizitori në sistemet tona. Tani ata do të
regjistrohen në të njëjtin sistem si Anëtarët tanë Shok. Mund të mos
duket kushedi çë, por është një revolucion, për sa i përket
thjeshtëzimit, për të cilin jemi të lumtur! Lexoni se si mund të
kontribuoni edhe ju në veprën tonë[9].

-
Botuam një raport mbi punën tonë gjatë 2015-s[10]. Nga mësimi i njerëzve
se si të përdorin fshehtëzimin për email-et e tyre, deri në ndërrim të
drejtimit të politikave në shkallë europiane, FSFE-ja punoi fort gjatë
2015-s që të fuqizojë kontrollin e përdoruesve mbi teknologjinë. Qemë
dëshmitarë të mjaft përmirësimeve të mënyrës se si punojmë, dhe e
mbyllëm pozitivisht vitin, me plot shpresa për 2016-n. Duam të
falënderojmë këdo për ndihmën që na dhanë për ta bërë botën një vend më
të mirë!

-
Siç u përmend në buletinin e kaluar, u jemi bashkuar KDE-së, Qt-së,
VideoLAN-it dhe të tjerëve që po organizojnë QtCon 2016 në Berlin, nga
2-4 Shtator 2016. Do ta shfrytëzojmë këtë mundësi për organizimin e një
takimi të FSFE-së gjatë zhvillimit të QtCon-it. Më tepër të dhëna së
shpejti.

-

 == Hidhuni Në Veprim ==

Kemi ende stok plot ngjitës "s’ka re" dhe tjetër material informativ! Na
ndihmoni të përhapim në bashkësinë tuaj vendore fjalën rreth lirisë së
software-it, duke porositur fletëpalosje, ngjitës, kartolina dhe afishe
tonat[11].

 == Lajme të mira mbi Software-in e Lirë ==

Qeveria frënge po rishikon kontratën e vet ekzistuese të mbështetjes së
Software-it të lirë, të nënshkruar më 2011-n, dhe u ka kërkuar
bashkësive të Software-it të Lirë dhe publikut të japin ndihmesën e tyre
në hartimin e kontratës së ardhshme të kuadrit të punës për shërbime dhe
asistencë Software-i të Lirë.[12] Ndërkohë, parlamenti frëng ka miratuar
një projektligj paraprak për një Republikë Dixhitale, që nxit përdorimin
e Software-it të Lirë nga administratat publike, dhe që e konsideron
informacion publik kodin burim të software-it të zhvilluar nga ose për
administrata publike[13]. Shkolla në kryeqytetin e Estonisë, Talin, po
kalojnë gradualisht drejt Software-it të Lirë, pasi administrata e
qytetit vendosi në Janar të 2015-s të kalojë në Software-in e Lirë[14].
Deri në Shtator 2015, më shumë se 4000 kompjutera dhe kompjutera
portativë në 50 shkolla në Talin xhirojnë me Software të Lirë. Në
Gjermani, Sigurimet Federale të Pensioneve, që janë më të mëdhatë në
vend, po shtojnë përdorimin e Software-it të Lirë duke botuar një ftesë
për tender në të cilën kërkohet asistencë për shërbimet e veta të
bazuara në Software-in e Lirë[15].

Falënderojmë krejt vullnetarët[16] , Anëtarët Shok[17] dhe korporatat
dhuruese[18] që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj Polina Malaja dhe Jonas Öberg FSFE[19]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://fsfe.org/news/2016/news-20160222-01.en.html
  2. http://blogs.fsfe.org/mk/the-reddit-effect-more-orders-in-24-hours-than-usually-in-6-months/
  3. https://fsfe.org/news/2016/news-20160205-01.en.html
  4. https://blogs.fsfe.org/floriansnow/2016/02/13/make-your-own-personal-banner-for-i-love-free-software-day/
  5. https://blogs.fsfe.org/pboddie/?p=1233
  6. https://blogs.fsfe.org/mmoeller/2016/02/03/getting-started-with-gnu-social/
  7. http://blog.schiessle.org/2016/02/12/the-next-generation-of-code-hosting-platforms/
  8. http://blogs.fsfe.org/mk/now-italian-european-parliaments-dsm-report-speaks-about-freedom-not-price/
  9. https://fsfe.org/contribute/
 10. https://fsfe.org/news/2016/news-20160224-01.en.html
 11. https://fsfe.org/contribute/spreadtheword.en.html
 12. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/france-involves-public-draft-support-contract
 13. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/france-assembly-encourages-use-free-software
 14. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/tallinn-schools-piloting-open-source-software
 15. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/open-source-largest-german-pension-fund
 16. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 17. http://fellowship.fsfe.org/join
 18. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 19. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list