Buletini i FSFE-së - Nëntor 2015

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Mon Nov 9 14:09:50 CET 2015


 = Buletini i FSFE-së - Nëntor 2015 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201511.sq.html ]

 == FSFE-ja BE-së: Mendoni globalisht, zgjidhni Software-in e Lirë! ==

Në fund të Tetorit, FSFE-ja paraqiti rekomandimet e veta[1] për
Strategjinë e Komisionit Europian Për Një Treg të Përbashkët Dixhital,
rruga për një politikë europiane në epokën dixhitale, që synon heqjen e
pengesave rregullatore mes 28 tregjeve të ndryshme kombëtare. Në
veçanti, Komisioni ka caktuar objektiva për dixhitalizimin e industrive
europiane, për zhvillim standardesh për “renë”, “Internetin e Gjërave”,
dhe /big data/ -n, dhe për zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të
arsimit dixhital.

FSFE-ja beson se Software-i i Lirë do ta ndihmojë BE-në të arrijë
synimet e caktuara nga Komisioni. Megjithatë, ekzistojnë ende disa
pengesa për të çliruar potencialin e plotë të Software-it të Lirë: në
veçanti, përjashtime nga mbrojtja e të drejtave të kopjimit të
paharmonizuara, patenta software-i, të drejta të papranuara të
përdoruesit për të modifikuar pronën e tyre, dhe rreziku, gjatë procesit
të standardizimeve, për patenta mbi bazat e një standardi. Ne u kërkojmë
ligjvënësve të BE-së të ndjekin rekomandimet tona dhe të shfuqizojnë
pengesat në rrugën e Software-it të Lirë.

 == What the cloud is going on? ==

Si pjesë e Tregut të Përbashkët Dixhital të Komisionit, Institutit
Europian i Standardeve të Telekomunikacionit (ETSI) i është kërkuar të
përpilojë një hartë të hollësishme të standardeve të domosdoshme për
përkrahjen e politikave të BE-së mbi “renë”. Bashkëredaktorja juaj
shkroi në blog[2] rreth pozicionit të paqartë lidhur me Software-in e
Lirë në nismën e ETSI-t Bashkërendim Standardesh Për Re.

 == Përpjekjet legjislative të FSFE-së kundër rrugëzuesve të detyruar bëjnë përpara në Bundestag ==

FSFE-ja e ngarkoi bashkërenduesin tonë gjerman, Max Mehl, të merret me
çështjen e rrugëzuesve të detyruar. FSFE-ja, tok me 9 organizma të tjerë
civilë dhe ekonomikë, dërguan një letër të përbashkët[3] për anëtarë të
Bundestagut që të përkrahet ligji kundër rrugëzuesve të detyruar.
Detyrimi i përdoruesve të përdorin një rrugëzues të caktuar, të dhënë
nga një ISP, minon konkurrencën e lirë dhe të ndershme mes prodhuesve.
Veç kësaj ai është i dëmshëm për sigurinë, privatësinë dhe pavarësinë e
përdoruesve për të përdorur pajisjen e tyre të sigurt të parapëlqyer.

Bundestag-u do të zhvillojë konsultat rreth projektligjit në Nëntor, dhe
pavarësisht opinionit të njëzëshëm të ekspertëve, organizmave të
mbrojtjes së përdoruesit, dhe politikanësh që e përkrahin projektligjin,
disa anëtarë të Këshillit Federal u rreshtuan kundër tij, duke bërë të
tyret argumentet teknikisht të hapërdarë të mundësuesve të shërbimeve
internet dhe operatorëve telefonikë.

 == A ju kujtohet rootkit-i i Sony-t? FSFE-së po ==

FSFE-ja e përkujtoi 10-vjetorin e fiaskos së rootkit-it Sony më 31 Tetor
duke postuar një shënim përkujtues[4] se sa të rrezikshme janë kufizimet
dixhitale për sigurinë e përdoruesit, lirinë për t’u marrë me gjërat,
dhe për kompjuterin si mjet i zakonshëm pune. Përpara se zemërimi publik
dhe paditë ligjore të kërkonin dëmshpërblim nga Sony, rootkit-i kish
depërtuar tashmë në kompjuterat e përdoruesve, kish spiunuar rreth
zakoneve të tyre në dëgjim, kish bllokuar software palësh të treta, kish
ulur cilësinë e punimit të kompjuterave, kish krijuar të çara në
sigurinë e kompjuterave, dhe i kish dërguar të dhëna Sony-t. Këtë muaj,
FSFE-ja u kërkoi[5] dhjetëra gazetarëve të fushave teknike dhe të
sigurisë të bëhen tok dhe t’i kujtojnë publikut të mbrojë lirinë e tij
dixhitale dhe të jetë i vëmendshëm përballë kufizimeve dixhitale, të të
njëjtit lloj me kufizimet që i lejuan Sony-t të hynte në miliona
kompjutera dhe qindra mijëra rrjete.

 == Aktivizohuni ==

Meqë javën e fundit qe dhjetëvjetori i zbulimi të rootkit-it të Sony-t,
harxhoni pak minuta këtë muaj t’u tregoni shokëve, familjes apo
kolegëve, që s’kanë dëgjuar ndonjëherë për rootkit-in Sony, se ç’ndodhi
atëherë më 2005-n. Ky është një shembull i goditur se si kompanitë
krijojnë brenda një produkti pengesa në software për të kufizuar ato që
përdoruesit mund të bëjnë me pronën e tyre.

 == Tridhjetëvjetori i FSF-së sjell torta, urime ditëlindjeje dhe mbulim nga shtypi zviceran ==

Ndryshe nga përvjetori i rootkit-it të Sony-t, pati edhe përvjetor
tjetër, të hareshëm, këtë muaj. Më 3 Tetor 2015, Free Software
Foundation of Europe kremtoi tridhjetëvjetorin ditëlindjes së Free
Software Foundation-it[6], me një tortë të shijshme dhe urime të
mrekullueshme. Pas kësaj, presidenti i FSFE-së, Matthias Kirschner foli
gjerësisht[7] në gazetën më të madhe zvicerane, mbi FSFE-në dhe rolin e
Software-it të lirë në politikë dhe ekonomi. Intervista e tij plotëson
një artikull shtesë[8] mbi Richard Stallman-in dhe aktivizmin për
Software-in e Lirë.

 == Anëtarë shok në Zyrih ofrojnë kompjuter me Software të Lirë ==

Anëtarë shok në Zyrih kanë filluar “Kompjuter i Lirë për Njerëz të
Lirë”[9], një nismë për të ofruar laptopë që xhirojnë krejtësisht me
Software të Lirë. Kjo përfshin /firmware/ alternativ dhe BIOS të lirë,
çka janë, në shumicën e rasteve, pronësorë për pjesën dërrmuese të
laptopëve, dhe i pengojnë përdoruesit të instalojnë Software të Lirë të
paautorizuar nga prodhuesi. Duke ripërdorur hardware të përdorur,
anëtarët shok të Zyrihut duan edhe të mbrujnë një përdorim më ekologjik
të hardware-it.

 == Shpallje misioni për FreeRTC-në, si zëvendësim i Skype-it ==

Projekti i FSFE-së për zhvillimin e FreeRTC-së, pra të Komunikimeve të
Atëçastshme (Real Time Communications), po mbledh sugjerime se si të
përmirësohet Shpallja e Misionit. Synimi është të bëhet sa më e lehtë të
jetë e mundur thirrja e të tjerëve dhe marrja e thirrjeve nga të tjerët
duke përdorur vetëm Software të Lirë, standarde të hapura, zgjedhje të
lirë mundësuesish shërbimi dhe një standard privatësie të besueshme.
Regjistrohuni te lista e postimeve[10] që të ndiqni diskutimet dhe të
postoni mendimin tuaj.

 == Drejtori ekzekutiv i FSFE-së, Jonas Öberg përsiat rreth takimit të tij me Richard Stallman-in më 1999 ==

Bashkëthemeluesi dhe drejtori ekzekutiv i FSFE-së, Jonas Öberg
rikujton[11] se si u përfshi në Software-in e Lirë, përfshi hollësi të
udhëtimit të tij në Boston si një i ri njëzetedyvjeçar më 1999, udhëtim
që ndikoi shumë mbi të. Rrëfimi i tij përmban vizita në Technology
Square në Boston, marrja pjesë në Çmimet për Software-in e Lirë, dhe një
betim para Richard Stallman-it për “të qenë përherë i vërtetë kundrejt
bashkësisë.”

 == Intervistë me anëtaren e Apache Software Foundation-it, programuese dhe nënë, Isabel Drost-Fromm ==

Më 13 Tetor, Paul Boddie kremtoi Ditën e Ada Lovelace-it (dita
ndërkombëtare e grave në shkencë dhe teknologji) duke intervistuar[12]
banoren e Berlinit dhe kontribuesen në Software-in e Lirë, Isabel Drost-
Fromm. Bashkëbisedimi i tyre preku tema teknike (e kuptueshme), këshilla
se si të trajtohen gjërat që priten nga tranzicioni drejt brezit tjetër
të hacker-ave, krijuesve dhe të ngjashmëve, dhe se si të krijohet besim
në këtë proces.

Falënderime për krejt vullnetarët[13], anëtarët shok[14], dhe korporatat
dhuruese[15] që bëjnë të mundur punën tonë.

Polina Malaja dhe Asa Ritz - FSFE[16]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. http://fsfe.org/activities/policy/eu/digital-single-market-comments.en.html
  2. http://blogs.fsfe.org/polina/2015/10/15/what-the-cloud-is-going-on-in-etsi/
  3. http://fsfe.org/news/2015/news-20151028-01.html
  4. http://fsfe.org/activities/drm/sony-rootkit-fiasco.en.html
  5. http://blogs.fsfe.org/asawritz/2015/11/04/sony-rootkit-still-making-headlines-10-years-later-2/
  6. https://wiki.fsfe.org/FSF30Birthday
  7. http://www.tagesanzeiger.ch/digital/computer/Politisch-denkende-Menschen-verstehen-das-Anliegen-der-freien-Software/story/18389205
  8. http://www.tagesanzeiger.ch/digital/computer/Politisch-denkende-Menschen-verstehen-das-Anliegen-der-freien-Software/story/18389205
  9. https://blogs.fsfe.org/mmoeller/2015/10/07/libre-laptops/
 10. https://lists.fsfe.org/mailman/listinfo/free-rtc
 11. https://opensource.com/life/15/10/my-open-source-story-jonas-oberg
 12. http://blogs.fsfe.org/fellowship-interviews/?p=715
 13. http://fsfe.org/contribute/contribute.en.html
 14. https://fsfe.org/fellowship/ams/join.php?ams=join
 15. https://fsfe.org/donate/thankgnus.en.html
 16. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list