Buletini i FSFE-së - Tetor 2015

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Mon Oct 5 15:37:30 CEST 2015


 = Buletini i FSFE-së - Tetor 2015 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201510.sq.html ]

 == Zgjedhjet në FSFE dhe lajme të tjera nga Bukureshti ==

Në Asamblenë e Përgjithshme të këtij viti në Bukuresht, FSFE-ja zgjodhi
një ekip të ri drejtues për dy vitet e ardhshme[1]. Reinhard Müller do
të vazhdojë në rolin e tij si përgjegjësi i financave, teksa redaktori
juaj do të marrë rolin e presidentit, me Alessandro Rubini-n në vendin e
zv.presidentit. Rubini është inxhinier elektronik që merret me përudhësa
pajisjesh dhe sisteme të trupëzuar. Ai ka qenë një nga anëtarët e parë
të FSFE-së dhe tani së fundi është rikthyer për të mbështetur punën
tonë. Presidenti i mëparshëm i FSFE-së, Karsten Gerloff i mirëpriti
ndryshimet dhe shkroi rreth rrugës së tij në të ardhmen[2].

Qyteti i Bukureshtit ishte duke bërë nxemjen për Software të Lirë që
disa javë para mbërritjes së FSFE-së, teksa segmente të administratës
publike rumune qenë ftuar nga Rogentos Linux User Group të provonin dy
shpërndarje GNU/Linux[3]. Ky është hapi i parë drejt rritjes së
ndërgjegjësimit mbi lirinë në software në gjirin e administratës publike
të vendit. Pas mbylljes së punimeve të asamblesë së përgjithshme, e
diskutuam këtë lajm dhe mbi bashkëpunimin e mëtejshëm me kontribues në
Software-in e Lirë nga Rumania, veçanërisht me miqtë tanë të Fundația
Ceata, fondacioni rumun për Software dhe Kulturë të Lirë. Vumë re se po
kërkojnë grafistë me përvojë që të kontribuojnë idetë e tyre për një
stemë të re për fondacionin. Ndaj, cilido grafist që dëshiron t’i vërë
duart në punë për një kauzë të vyer, mund të gjejë më shumë informacion
në faqen e tyre me njoftimin për parashtrime[4].

 == Si e vlerëson FSFE-ja raportin e Parlamentit Europian mbi të drejtat e kopjimit ==

Në korrik, Parlamenti Europian adoptoi rekomandimet e veta për reformë
të të drejtave të kopjimit, skicuar fillimisht nga eurodeputetja Julia
Reda, dhe FSFE-ja bëri publike[5] vlerësimet e veta mbi raportin
përfundimtar që qe miratuar në parlament pas një sasie të konsiderueshme
ndryshimesh. Teksa raporti përfundimtar i Parlamentit përmban disa nga
përmirësimet e ligjshmërisë në fuqi, ka mjaft probleme që do të duheshin
rimarrë në shqyrtim, veçanërisht për sa lidhet me Software-in e Lirë.
Veçanërisht, raporti nuk arrin të merret në mënyrë adekuate me
Administrimin e Kufizimeve Dixhitale (DRM) të cilat ende mund të
pengojnë përdorimin e veprave që i përkasin fushës së përjashtimeve nga
të drejta kopjimesh, dhe nuk ofron mundësi që programuesit e software-it
të kontribuojnë punët e tyre në përkatësi publike.

Hapi pasues është publikimi nga Komisioni i propozimeve të tyre për
reformë të të drejtave të kopjimit, diku para fundit të 2015-s. Ne i
kërkojmë Komisionit ta shpjerë reformën e të drejtave të kopjimit edhe
më tej dhe të sigurojë që asnjë përjashtim nga të drejtat e kopjimit,
kurdo, të mos kufizohet nga shtrëngesa të zbatuara përmes teknologjisë,
të ofrojë një grup plotësisht të harmonizuar përjashtimesh, dhe të hedhë
në qarkullim nën një licencë Software-i të Lirë krejt punët e llojit që
financohen nga paraja publike.

 == Pastrim i PDFreaders ==

Teksa përfundojmë përgatitjet për fushatën tonë PDFreaders[6] ia vlen të
përmenden veçanërisht pak shembuj të suksesshëm. Bashkërenduesi ynë
gjerman, Max Mehl, shkroi në blog[7] mbi suksesin e fushatës në qeverinë
gjermane. Në fakt fushata qe kaq e suksesshme, saqë tani "Udhërrëfyesi
gjerman mbi migrimin" përmban edhe një pasazh rreth nesh, ku thuhet
"Nëse dokumentet PDF ofrohen publikisht, për hapjen e tyreautoritetet
nuk duhet të rekomandojnë më vetëm Adobe Acrobat Reader-in, por, për
shembull, të përdorin gjedhet HTML të ofruara nga FSFE-ja në sajtin e
tyre për shkarkim lexuesish alternativë PDF-sh", si dhe t’u rekomandojnë
nëpunësve shtrirjen drejt Software-it të Lirë, si alternativë e
përshtatshme.

FSFE-ja ndihmoi edhe të nxirren në pah lexuesit më të mirë të PDF-ve nga
Software-i i Lirë për sektorin privat. Stazhierja jonë Polina Malaja
mundi të kapte[8] bashkërenduesin tonë të dikurshëm të fushatës
PDFreaders, Hannes Hauswedell, lidhur me bisedën e tij me Google-in diku
nga 2011-a, rreth hedhjes në qarkullim si Software të Lirë të programit
Pdfium. Më në fund, më 2014-n, kërkesa e Hanesit dha fryt. Tani, ne nuk
po themi se fushata jonë shkaktoi hedhjen në qarkullim të Pdfium-it, por
do të donim të mendonim se fushata jonë një rol e pati.

 == Diçka krejt tjetër ==

- FSFE-ja Zvicër, në bashkëpunim me Grupin Zviceran të Përdoruesve të
  Sistemeve të Hapur, u dërgoi kandidatëve politikë qindra letra ku u
  kërkohet të plotësojnë pyetësorin Freedomvote[9], si një mënyrë për të
  grumbulluar opinionet e kandidatëve mbi çështje të ndryshme dixhitale,
  të cilave ndonjëherë u anashkalohet, të tilla si e-votimi, të dhënat e
  hapura, Software-i i Lirë, dhe siguria e të dhënave. Përfundimet i
  botuan në internet që qytetarët të marrin vendime më të bazuara rreth
  se cilin do të votojnë në zgjedhjet e 18 Tetorit.

- Paul Boddie interviston anëtarin shok të FSFE-së, Nico Rikken[10] nga
  Holanda. Përvoja e Nikos shtrihet në inxhinieri elektrike dhe, mes të
  tjerash, ai ofron ide lidhur me hardware-in e hapur dhe politikat
  arsimore.

- Më 1 Shtatori Gjykata e Lartë e Parisit ripohoi që, sipas Konventës
  Europiane Mbi Patentat, patentat mbi software-in janë të paligjshme në
  Europë.[11] Megjithatë, ky sukses vjen vetëm si një dorë bojë, po të
  kihet parasysh se palës ankimuese në këtë rast i është akorduar
  faktikisht një patentë nga Zyra Europiane e Patentave.

- Sipas tezës së doktoraturës së Felix Greve-it, kushtetuta gjermane lyp
  standarde TIK të pavarura nga tregtuesit, që të sigurohet
  ndërveprueshmëria në administratën publike dhe kudo[12]. Mungesa e
  sotme e rregullave të ndërveprueshmërisë përbën një pengesë të madhe
  për shtrirjen e Software-it të Lirë në vend.

- FSF-ja certifikoi laptopin Taurinus X200[13] si respektues i të
  drejtave të përdoruesit. Ky ka të hequr Mekanizmin e Administrimit
  (MA) të Intel-it, i cili është një software i fshehtë dhe pronësor që
  lejon hyrje së largëti në kompjuter përmes një rrjeti, ndryshim dhe
  prekje të formësimit të BIOS-it, ose fshirje të diskut. MA-ja ka
  mundësi hyrjeje të plotë në kompjuter, me një gamë të gjerë
  funksionesh dhe do të mund të ishte një mjet shumë i dobishëm sigurie,
  por vetëm nëse i zoti i pajisjes ka aftësinë ta kontrollojë.

- Administrata Publike: Qeveri britanike boton një udhërrëfyes
  autoritativ mbi ODF-në[14], rreth integrimit në prokurime publike të
  ODF-së me software shkalle ndërmarrjesh; sektori ushtarak i Italisë po
  kalon në LibreOffice dhe ODF[15], duke përfaqësuar kështu sendërtimin
  e dytë më të madh në Europë të LibreOffice-it; në Konferencën e
  Debianit "DebConf15" bashkia e Munihut tregoi se është një kontribues
  i rëndësishëm në Software-in e Lirë, duke ndarë me të tjerët zgjidhje
  software dhe praktika më të mira të punës[16]; teksa Karel De Vriendt
  i Open Forum Europe-ës dha mendime[17] mbi logjikën pas kërkesës për
  tender nga Komisioni Europian dhe që lidhet me Microsoft-in, e cila do
  ta shtojë edhe më tej kyçjen nga tregtuesit në sektorin publik TI.

    - Nga grumbullimet planet[18]:

    - Daniel Pocock-u është i mendimit se rruga e vetme për të shmangur
      në të ardhmen skandale të tillë si ai me VW-në[19] është sigurimi
      për këdo i lirisë për të parë dhe modifikuar kodin burim për
      tërësinë e pajisjeve që janë pjesë e jetës sonë.

    - Dominic Hopf (tashmë diplomat zyrtar ndërgalaktik) dhe anëtari
      shok Pascal Wittmann, organizuan hapjen e një stende në
      veprimtarinë e Ditës së Lirisë së Software-it (SFD) në Kiel[20]
      dhe dhanë edhe një prezantim mbi F-Droid-in.

    - Në një ditë të lagësht në Frankfurt, stenda e FSFE-së në
      Rotlintstraßenfest vjetor tërhoqi vëmendjen e vizitorëve, që donim
      me padurim të mësoni më tepër rreth lirisë së software-it. Guido
      Arnold-i sjell më tepër hollësi mbi këtë veprimtari popullore.[21]

    - Nga ana tjetër, anëtari shok i FSFE-së, Michael Stehmann
      përmblodhi përshtypjet e tij gjatë DLS-së në Këln (Gjermani)[22].

    - Drejtori ynë i Përgjithshëm, Jonas Öberg paraqiti një përmbledhje
      të hollësishme mbi aspektet logjistike të organizimit të një
      veprimtarie të suksesshme[23].

    - Carsten Agger u mor me organizimin e LibreOffice Hackfest-ës në
      Aarhus[24].

    - Tobias Platen kritikon[25] pretendimin se sa "të lirë" janë
      faktikisht kompjuterat Purism Librem.

    - André Ockers shpjegon se si në Holandë, qytetarë të ndërgjegjësuar
      e bindën një agjenci qeveritare holandeze të përdorë një format
      Open Document[26].

    - Paul Boddie shtron "Pyetje Kuturu" rreth pasjes së kodit burim të
      Fairphone-it"[27].


 == Aktivizohuni: Kandidoni persona dhe projekte për Çmimin e Software-it të Lirë ==

Shpesh përdoruesit nuk e dinë se po përdorin Software të Lirë.
Ndonjëherë na duhet ta deklarojmë shprehimisht këtë fakt. Për shembull,
përditësimi i ri i WordPress-it[28] përmban një skedë me një referencë
për licencën GNU General Public License dhe katër liritë e Software-it
të Lirë, duke ia bërë shprehimisht me dije bashkësisë së Wordpress-it
rëndësinë e lirisë që mishëron software-i i tyre.

Por shpeshherë, shumë programues dhe projekte të mahnitshme të Software-
it të Lirë nuk marrin mirënjohjen që meritojnë. FSF-ja po pranon
kandidime për Çmimin e 18-të vjetor të Software-it të Lirë[29] për
persona dhe projekte që e kanë bërë botën më të mirë duke përdorur
Software të Lirë. Ka dy çmime, një për persona që e kanë shpënë më tej
lëvizjen, dhe një tjetër për projekte që kanë përmbushur një nevojë kyçe
shoqërore përmes përdorimit të Software-it të Lirë. Ju lutemi,
kandidatët tuaj parashtrojini para 1 Nëntorit.

Falënderime për krejt vullnetarët[30], anëtarët shok[31] dhe korporatat
dhuruese[32] që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner[33] - FSFE[34]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://fsfe.org/news/2015/news-20150922-01.sq.html
  2. http://blogs.fsfe.org/gerloff/2015/09/18/please-welcome-fsfes-new-president/
  3. https://joinup.ec.europa.eu/node/145574
  4. https://ceata.org/comunicate/international-challenge-logo-for-ceata.html
  5. https://fsfe.org/activities/policy/eu/20150918-Assessment-Of-The-Report-On-InfoSoc.en.html
  6. https://fsfe.org/campaigns/pdfreaders/pdfreaders.en.html
  7. http://blog.mehl.mx/2015/german-government-wants-authorities-to-advertise-pdfreaders/
  8. http://blogs.fsfe.org/polina/2015/09/10/free-pdf-reader-for-the-web-browser/
  9. https://freedomvote.ch/
 10. http://blogs.fsfe.org/fellowship-interviews/?p=672
 11. https://www.april.org/en/paris-high-court-reaffirms-ban-software-patents
 12. https://joinup.ec.europa.eu/node/145984
 13. http://www.fsf.org/news/now-fsf-cerified-to-respect-your-freedom-taurinus-x200
 14. https://joinup.ec.europa.eu/node/145658
 15. https://joinup.ec.europa.eu/node/145784
 16. https://joinup.ec.europa.eu/node/145626
 17. http://www.openforumeurope.org/windows-dressing/
 18. http://planet.fsfe.org
 19. http://danielpocock.com/the-only-way-to-ensure-the-vw-scandal-never-happens-again
 20. http://blog.dmaphy.de/2015/09/how-to-travel-intergalactic-way-free.html
 21. http://blogs.fsfe.org/guido/2015/09/fsfe-info-booth-at-rotlintstrasenfest-in-frankfurt/
 22. http://blogs.fsfe.org/stehmann/?p=1554
 23. http://blogs.fsfe.org/jonas/?p=20
 24. http://blogs.fsfe.org/agger/2015/09/28/organizing-this-years-libreoffice-conference/
 25. http://blogs.fsfe.org/tobias_platen/2015/09/22/why-i-wont-buy-the-libre/
 26. https://blogs.fsfe.org/ao/2015/09/26/why-we-convinced-a-dutch-government-agency-to-use-an-open-document-format/
 27. https://blogs.fsfe.org/pboddie/?p=1129
 28. http://www.fsf.org/blogs/community/wordpress-brings-the-freedom-to-the-front
 29. http://www.fsf.org/blogs/community/who-is-improving-the-world-through-free-software-nominate-them-now
 30. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 31. http://fellowship.fsfe.org/join
 32. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 33. https://fsfe.org/about/kirschner
 34. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list