Buletini i FSFE-së - Gusht 2015

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Wed Aug 5 15:32:01 CEST 2015


 = Buletini i FSFE-së - Gusht 2015 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201508.sq.html ]

 == Përgjigje konsultës së BE-së mbi të drejtat e kopjimit, patentat, dhe sekretet tregtare ==

Në fillimet e këtij muaji, FSFE-ja iu përgjigj “Konsultës mbi
respektimin e pronësisë intelektuale në procedurat e prokurimeve
publike”, të mbajtur me nismën e Komisionit Europian. Sipas Komisionit,
qëllimi fillestar i konsultës qe “mbledhja e provave, opinioneve dhe
përshtypjeve lidhur me respektimin e të drejtave të pronësisë
intelektuale dhe sekreteve tregtare gjatë procedurave të prokurimit
publik”, dhe të shprehej nëse për këtë temë ka nevojë për një
udhërrëfyes për autoritetet publike.

Në përgjigjen tonë, e rivumë gishtin në disa çështje që kanë nevojë të
trajtohen te tema e përgjithshme e konsultës. Për shembull, lidhur me
patentat mbi software-in shpjeguam se është e pamundur të prokurohet
software i cili nuk cenon asnjë patentë, dhe se të drejtat e zotëruesve
të të drejtave të kopjimit nuk duhet të zhvleftësohen nga patenta palësh
të treta. Për më tepër, FSFE-ja mbrojti idenë se çdo software i
financuar me paranë publike do të duhej të publikohej dhe shpërndahej si
Software i Lirë, si parazgjedhje, që cilido të mund ta përdorë software-
in për qëllimet e veta dhe kështu të ofrojë shërbime më të mira për
autoritetet publike.

Praktikantja jonë e tanishme, Polina Malaja i përmblodhi përgjigjet tona
dhe shkroi rreth konsultës në blogun e vet[1], si dhe i hodhi përgjigjet
tona te wiki i FSFE-së[2].

 == Si t’ia bëjmë me kufizimet në nivel firmware-i ==

Synimi i FSFE-së është t’u sigurojë atyre që zotërojnë pajisje TI të
kenë gjithnjë kontrollin mbi to, dhe vetëm ata. Gjatë viteve të fundit
ky parim themelor është goditur nga zhvillime të tilla si UEFI “Secure
Boot”[3], ose BIOS pronësorë. Këtu bëhet fjalë për software të shkallës
së ulët që xhiron sapo ndizni kompjuterin tuaj. Ky gatit hardware-in dhe
mund të hartohet i tillë që t’ua pengojë përdoruesve instalimin e
software-it që nuk është “autorizuar” nga prodhuesi. Ky fakt qe
gjithashtu një nga temat në fjalën e redaktorit tuaj[4] të mbajtur në
Akademy-në e këtij viti në Korunja të Spanjës, ku jepen disa ide se si
mund të shmangen këto kufizime të trupëzuara në produkt.

Një nga rrugët për t’iu kundërvënë këtyre zhvillimeve është pasja e
firmware-i alternativ nisjeje. Ka disa mënyra për të zëvendësuar
firmware-in pronësor të trupëzuar në produkt me të ngjashëm të lirë.
Anëtari ynë shok, Kevin Keijzer, shpjegon me hollësi se si "të
rregullohet një Beaglebone Black për të instaluar në të Coreboot"[5],
dhe se si "të hidhet Libreboot në një Lenovo X200 me Raspberry Pi"[6].
Një tjetër anëtar shok, André Ockers, shpjegon në blogun e tij se si
kaloi një Thinkpad T60p në Trisquel dhe Libreboot[7].

Veç punës për firmware alternativ dhe të lirë nisjesh, na duhet edhe të
shohim më tej në perspektivë. Na duhet të mendojmë se si t’i shtrijmë
idetë e Software-it të Lirë te hardware-i. Richard Stallman-i shkroi
rreth kësaj në artikullin e tij "Why we need free digital hardware
designs"[8].

 == Diçka krejt tjetër ==

- Më 24-26 korrik, FSFE-ja mbajti në Esen Mbledhjen e Bashkërenduesve
  Europianë për 2015-n (ECM15). Mes mjaft temave, bashkërenduesit tanë
  diskutuan mbi strategjinë, mbi një propozim për ristrukturim të
  bashkësisë dhe ndërlidhjeve të FSFE-së, si dhe mbi shtypin tonë dhe
  punën me fushatat. Për më tepër hollësi, ju lutemi, lexoni postimin te
  blogu i Erik Albers-it[9].

- Ekipi i FSFE-së për arsimin përditësoi sajtin e vet[10]. Hidhini një
  sy, na jepni përshtypjet, ose më mirë akoma: bëhuni pjesë e ekipit
  tonë të arsimit që të promovoni përdorimin e Software-it të Lirë në
  shkolla dhe universitete.

- Redaktorit tuaj i morën një intervistë para fillimit të punimeve të
  Akademy-së. Intervista gjendet te sajti i KDE-së[11]. Në të mbulohen
  pyetje rreth shpërndarjes së parë GNU/Linux të përdorur nga redaktori
  juaj, pse studioi politikë dhe administrim, si u përzie me FSFE-në, si
  lidhet përparimi i shoqërisë me Software-in e Lirë, si dhe për
  përfshirjen e tij në seminare mbi ndihmën e parë për kafshë të egra.
  (Victorhck e përktheu intervistën në spanjisht[12].)

- Komisioni Europian hodhi në qarkullim si Software të Lirë programin
  LEOS për përpunim tekstesh ligjorë[13]. Ky mund të përdoret për të
  hartuar dhe përpunuar automatikisht tekste ligjorë. Deri tani
  software-i mbulon tekste ligjorë të prodhuar nga KE-ja, por mund të
  zgjerohet për të mbuluar procese të tjera ligjvënieje.

- Dy zhvillime të mbara në Francë: Nga njëra anë, qeveria frënge ka
  hedhur në qarkullim gjedhe[14] për përdorim nga nëpunës prokurimesh
  kur kërkohen zgjidhje TKI me bazë software-in e lirë. Gjedhet
  përfshijnë klauzolat e prokurimit të Software-it të Lirë që i
  detyrojnë zhvilluesit të sistemojnë kodin që kontribuojnë. Në anën
  tjetër, Franca kërkon nga administrata e vet publike t’i japë
  përparësi ODF-së kundrejt formatit OOXML të Microsoft-it (shihni një
  artikull te Register[15] ).

- Më 3 Tetor 2015, FSF-ja kremton në Boston ditëlindjen e 30-të. Kjo do
  festuar. Si organizmi vëlla i tyre, ju ftojmë të organizoni festa të
  vockla ditëlindje[16] anembanë Europës. Na e bëni të ditur, nëse
  planifikoni diçka, që ta promovojmë kremtimin.

- Nga grumbullimet planet[17]:

    - Riccardo Iaconelli shkroi mbi WikiFM[18], një projekt KDE që synon
      t’i japë botës dije të lirë dhe të hapur, në formë tekstesh
      shkollore dhe shënimesh leksioni. Projekti është menduar për
      studentët, kërkuesit dhe ata që mësojnë vazhdimisht, me doracakë
      dhe lëndë që shtrihet nga matematika e thjeshtë deri te “Hartim me
      QML” (i përdorur tashmë nga High Energy Physics Software
      Foundation).

    - Daniel Pocock shpjegon si[19] të regjistrohen veprimtari /live/
      duke përdorur celularin tuaj dhe një mikrofon jake.

    - Guido Arnold na njoftoi njohjen në Galicia të mbi 50 mijë nxënësve
      me software-in e lirë[20], dhe mbi një shkollë në Spanjë që po
      kalon në përdorimin e Ubuntu/Linux-it[21] për kompjuterët e saj në
      klasa dhe zyra.


 == Aktivizohuni: Kontribuoni te prodhuesi i sajtit tonë statik ==

Që prej 2002-it, FSFE-ja, për praninë e vet në internet, përdor një
prodhues sajti statik . Versioni i parë qe shkruar nga Jonas Öberg,
tanimë drejtor ekzekutiv i FSFE-së. Muajin e fundit, te sajti provë
hodhëm një version të përditësuar. Në postimin te blogu i tij,
përgjegjësi i sistemit të FSFE-së, Paul Hänsch, përmbledh veçoritë e
reja, dhe kufizimet[22]. Ndaj nëse jeni të interesuar të përmirësoni nga
ana teknike praninë e FSFE-së në internet, lexojeni atë dhe lidhuni me
ekipin tonë përkatës.

Falënderime për krejt vullnetarët[23], Anëtarët Shokë[24] dhe korporatat
dhuruese[25] që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE[26]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. http://blogs.fsfe.org/polina/2015/07/24/fsfe-answers-to-the-consultation-on-copyright-patents-and-trade-secrets-in-public-procurement/
  2. https://wiki.fsfe.org/Free_Software_in_public_procurement
  3. https://fsfe.org/campaigns/generalpurposecomputing/secure-boot-analysis.sq.html
  4. https://dot.kde.org/2015/07/25/akademy-talks-day-1
  5. http://blogs.fsfe.org/the_unconventional/2015/06/08/setting-up-a-beaglebone-black-to-flash-coreboot/
  6. https://blogs.fsfe.org/the_unconventional/2015/06/06/libreboot-x200-raspberry-pi/
  7. https://blogs.fsfe.org/ao/2015/05/29/how-i-got-a-thinkpad-t60p-coreboot-gnu-linux-libre-trisquel-laptop/
  8. http://www.wired.com/2015/03/need-free-digital-hardware-designs/
  9. https://blogs.fsfe.org/eal/2015/07/30/european-coordinators-meeting-2015/
 10. http://fsfe.org/activities/education/education.html
 11. https://dot.kde.org/2015/07/15/akademy-2015-keynote-matthias-kirschner
 12. https://victorhckinthefreeworld.wordpress.com/2015/07/18/entrevista-a-matthias-kirschner-vicepresidente-de-la-fsfe-que-dara-una-charla-en-akademy/
 13. https://joinup.ec.europa.eu/node/144375
 14. https://joinup.ec.europa.eu/node/144729
 15. http://www.theregister.co.uk/2015/07/22/french_government_computer_agency_recommends_giving_microsoft_le_boot/
 16. http://www.fsf.org/news/fsf-invites-the-free-software-community-to-its-30th-birthday-party-on-october-3rd-2015
 17. http://planet.fsfe.org
 18. http://blogs.fsfe.org/ruphy/2015/07/announcing-wikifm/
 19. http://danielpocock.com/recording-live-events-like-a-pro-part-one-audio
 20. http://blogs.fsfe.org/guido/2015/07/galicia-introducing-over-50-000-students-to-free-software/
 21. http://blogs.fsfe.org/guido/2015/07/we-dont-use-free-software-we-want-something-that-just-works/
 22. http://blog.plutz.net/The_FSFE_org_buildscript.html
 23. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 24. http://fellowship.fsfe.org/join
 25. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 26. https://fsfe.org/index.sq.html



More information about the Newsletter-sq mailing list