Buletini i FSFE-së - Nëntor 2014

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Tue Nov 11 16:03:49 CET 2014


 = Buletini i FSFE-së - Nëntor 2014 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201411.sq.html ]

 == Mynih: faktet më me peshë se fjalët ==

Qyteti i Mynihut xhiron Software të Lirë në më tepër se 15000 kompjutera
dhe si rrjedhojë ka kursyer mbi 11 milionë euro[1]. Gjatë migrimit në
Software të Lirë, ata konsoliduan sektorin e tyre heterogjen TI të
shtrirë në 51 vende me 1000 nëpunës TI dhe 22 departamente TI. Me gjithë
këto sfida, shumica e përdoruesve janë të kënaqur me migrimin dhe
shprehen se nuk duan të kthehen te e dikurshmja[2] (në Gjermanisht). Dhe
krejt kjo ndodhi mu përpara hundës së qendrës së Microsoft-it për
Gjermaninë.

Nëse nuk e pëlqeni suksesin e Software-it të Lirë në Mynih, ç’do të
bënit? Mund të luanit me emocionet e njerëzve dhe të përhapnit fjalë se
personat TI të Mynihut nuk po marrin parasysh kërkesat e përdoruesve të
rregullt, dhe as ato të drejtuesve. Sigurisht që kjo duhet bërë
turbulltas, me shpresë se do të ndillni ata pak zëra që janë gjithmonë
të pakënaqur - por kjo është rrugë e lehtë për diskreditimin e
përparimit të bërë tashmë. Kjo qe ajo çka ndodhi muajt e fundit në Mynih
me vërejtjet e kryetarit të ri të bashkisë, Dieter Reiter (SPD, Social-
demokratët) dhe zëvendësit të tij, Josef Schmid (CSU, Kristian-
demokratët). Disa komentatorë kanë spekuluar rreth një lidhjeje me
faktin se Microsoft-i po i kalon zyrat e veta nga Untershlashaimi në
Mynih, dhe Reiter-in që pretendon se ndihmoi në këtë marrëveshje[3] (në
Gjermanisht). Meqë Microsoft-i qe taksapaguesi më i madh në
Untershlashaim[4] (në Gjermanisht), Mynihu do të përfitojë financiarisht
nga kjo lëvizje.

Por duket se e kanë nënvlerësuar suksesin e Software-it të Lirë në
Mynih. Ekspertë TI prej vetë partive të tyre politike ngritën zërin për
t’i saktësuar[5] dhe të tjerë kanë nxjerrë sheshit deklaratat e tyre
ngatërruese[6]. Pra komentet e bëra nga drejtuesit e bashkisë
përfaqësojnë vetëm opinione individuale. Përkrahja politike për GNU
/Linux-in në Mynih është e fortë, dhe paratë që kursen dhe do të
vazhdojë të kursejë bashkia duke përdorur GNU/Linux,
LibreOffice/OpenOffice, dhe Desktopin nga KDE kanë vlerë të madhe. Nëse
Software-i i lirë mund të mbijetojë edhe pas një fushate shpifjesh nga
drejtuesit e bashkisë, kjo tregon se ai ka të ardhme përpara. E dashur
bashkësi e Software-it të Lirë: /ji krenare dhe përhape fjalën!/ Por mos
të të zërë gjumi, sulmi tjetër do të jetë më i stërholluar.

 == Politika Standardesh të Hapët në shkallë BE-je ==

Përgjigja ndaj shqetësimit përfshin një tjetër pikë kyçe: problemin me
formatet e dokumenteve. Përgjegjësit TI të Mynihut vunë re se, në fillim
të migrimit, shtetet federale dhe qeveria federale gjermane e vunë
theksin te rëndësia e Software-it të Lirë dhe Standardet e Hapëta, por
më pas nuk e ndoqën kurrë atë shteg.

Në Gjermani, mungesa e një Politike të qartë Standardesh të Hapëta është
një pengesë serioze për përdorimin e Software-it të Lirë nga
administratat publike. Vitet e fundit, vende të tjera europiane, si
Britania e Madhe, Franca, Italia dhe Suedia kanë bërë më shumë për
promovimin e Software-it të Lirë dhe Standardeve të Hapëta.

Në shkallë europiane, ish kryetari i bashkisë së Mynihut i kërkoi
Komisionit Europian të sendërtojë dy masa për t’i hapur rrugë
pjesëmarrjes së Software-it të Lirë në projekte të BE-së[7]: Së pari,
për krejt gjedhet e dokumenteve që janë të passhme në formate Microsoft
Office, të ketë të tilla edhe në formatin Open Document Text (ODT). Së
dyti, krejt laptopët për prezantime në institucionet e BE-së të kenë
gjithashtu të instaluar edhe një program që mund të trajtojë kartela
Open Document Presentation (ODP). Bëhet fjalë për në 2011-n, pra
organizmat europiane e kanë neglizhuar për një kohë të gjatë sendërtimin
e politikave për Standarde të Hapët.

 == Kontroll përputhshmërie me Standardet e Hapëta ==

Kur institucionet marrin vendime lidhur me Standarde të Hapëta, ky është
vetëm hapi i parë. Është e rëndësishme të kontrollohet ky vendim dhe t’u
rikujtohet atyre. Më 2010-n, si veprimtari në kuadrin e Ditës së Lirisë
së Dokumenteve, Anëtarët tanë Shok në Këln dhe Bon kontrolluan
administratat federale gjermane pas një vendimi, sipas të cilit ato
duhet të jenë në gjendje të marrin, përpunojnë dhe dërgojnë mbrapsht
ODF[8]. FSFE-ja pa se vetëm 2 nga 87 departamentet ishin në përputhje me
rregullat federale për dokumente të hapët. Kjo nxjerr në pah rëndësinë e
të qenit këmbëngulës dhe të mbikëqyrjes së sendërtimit të politikave të
tilla. Për një sugjerim specifik se si brenda pak minutash mund të
ndihmoni për këtë, shihni zërin “Aktivizohuni” të këtij muaji.

 == Diçka krejt tjetër ==

- Jemi duke kërkuar praktikantë sërish, veçanërisht për përgatitjen e
  Ditës së Lirisë së Dokumenteve[9], por kemi të hapura edhe vende të
  përgjithshme praktikantësh, në fillimet e Janarit[10]. Kur Max Mehl-i
  pa lajmërimin, botoi një përmbledhje rreth kohës së tij si praktikant
  pranë FSFE-së[11].

- Tok me shoqatën e konsumatorëve italianë ADUC, dhe grupin italian ILS,
  u kemi kërkuar[12] enteve rregullatore të marrin masa konkrete për të
  mbrojtur italianët nga detyrimi për të paguar për software që nuk e
  duan ose nuk u nevojitet.

- Veprimtari vendore: grupi ynë i Vienës pa vjeshtën e vet më aktive dhe
  më të suksesshme deri më sot. Franci ka dokumentuar pjesëmarrjen në
  tre veprimtari të mëdha në Ditën e Lirisë së Software-it, në
  konferencën më të madhe gjermane mbi të drejtat e kafshëve, dhe në
  panairin Game City 2013[13]. Christian Kalkhoff prej grupit tonë të
  Mynihut organizoi një paraqitje të veprimtarive të grupeve në GNU
  Hackers Meeting 2014. Videoja tani është në linjë[14]. Nëse dëshironi
  të ndihmoni në organizimin e konferencës LibreOffice 2015, Carsten
  Agger ende kërkon mbështetje, meqë grupi ynë në Aarhus do të ndihmojë
  për veprimtarinë[15].

- Edicioni i fundit i lajmeve për arsimin përmend gjithashtu vëmendjen
  drejt Ditës së ardhshme të Lirisë së Dokumenteve 2015[16].

- Administrata publike: qyteti gjerman Gumersbah njoftoi se këtë verë
  plotësoi kalimin e PC-ve në GNU/Linux[17], Healthwatch-i i Anglisë
  kalon në Software-in e Lirë CiviCRM[18], dhe një zgjidhje Software i
  Lirë për administratën e Alto Adixhes (Itali) për të testuar
  automatikisht sajtet dhe shërbimet web tani po përdoret edhe për të
  vëzhguar sajte nga sektori i turizmit të rajonit[19].

- Organizmi ynë motër i fton entuziastët e Software-it të Lirë në
  konferencën Libre Planet 2015[20] në ShBA. Për më tepër, kandidimet
  për Çmimet e 17-ta vjetore të Software-it të Lirë janë të hapura[21],
  dhe mund të dërgoni propozimet tuaja deri para 16 Nëntorit.

- Matthew Garret shkroi një postim blogu mbi arsyet pse hyri në bordin e
  FSF-së[22]. Por disa prej komenteve që pati postimi janë vërtet fyese,
  dhe redaktori i këtij edicioni shpreson që Matthew thjesht t’i
  shpërfillë. Lidhur me këtë temë, redaktori juaj ju këshillon të lexoni
  artikullin “On the sickness of our community”[23] nga Jonathan Corbet.
  Si përherë, nëse keni komente rreth tij, dërgojini ato te listat tona
  të diskutimeve[24].

- Nga grumbullimet planet[25]:

    - Kompjuterët po depërtojnë në fushën e modës nga drejtime të
      shumta. Praktikanti i tanishëm i FSFE-së Michele Marrali shkroi
      rreth MeshCon 2014, një konferencë që lidh krijues mode me
      ekspertë teknologjish[26].

    - André Ockers raporton se radioja publike holandeze NOS po largohet
      nga standardet e hapura[27]

    - Matija Šuklje kreu kontributin e tij të parë te KDE dhe shkruan
      rreth Fiduciary Licence Agreement të FSFE-së[28]

    - Daniel Pocock raporton për rezultate pozitive në Outreach Program
      for Women të GNOME-s[29]

    - Hugo Roy shpjegon se si shkroi një botim të ri në mbrojtje të
      shifrimit të njëkohësimit të kartelave në ownCloud[30].


 == Aktivizohuni: Ndreqni dokumentet e mi - ODF-ja në ente të BE-së ==

Institucionet e BE-së kanë ende mjaft për të bërë për të hequr pengesat
ndaj përdoruesve të Software-it të Lirë. Tok me Open Forum Europe (OFE),
redaktori juaj i këtij edicioni pati një takim për këtë, me përgjegjës
të TI-së për Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Europian. Diskutuam
mbi letrën tonë për formatet video[31] dhe fushatën “FixMyDocuments.eu”.
Kjo fushatë u fillua nga OFE në ndihmë të institucioneve të BE-së për
vënien në jetë të vendimit të tyre për përkrahjen e Formateve të Hapët
të Dokumenteve (ODF)[32]. Vullnetarë të FSFE-së e kanë përkthyer tashmë
sajtin web në shumë gjuhë, por tani është koha që të gjithë ju të
veproni.

Do të donim /të zbulonit institucione të BE-së që ofrojnë lëndë në
formate jo të lirë/ në sajtet e tyre web, pa i publikuar ato edhe në
ODT, dhe mandej t’i njoftoni ato[33].

Më tej, OFE-ja nxit dhe do të përkrahë këdo që dëshiron ta përdorë
platformën për të mbuluar administrata të tjera.

Falënderime për krejt vullnetarët[34], Anëtarët Shok[35] dhe korporatat
dhuruese[36] që bëjnë të mundur punën tonë,
Matthias Kirschner - FSFE

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://joinup.ec.europa.eu/node/106341
  2. http://www.computerwoche.de/a/wohin-steuert-linux-in-muenchen,3043464,2
  3. http://www.zeit.de/politik/deutschland/2013-11/reiter-muenchen-spd/komplettansicht
  4. http://www.merkur-online.de/lokales/muenchen-lk-nord/unterschleissheim-umzug-nach-muenchen-microsoft-prueft-neue-standorte-2766978.html
  5. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/munich-city-council-shields-limux-against-mayor
  6. https://fsfe.org/news/2014/news-20141016-01.sq.html
  7. https://blogs.fsfe.org/mk/prasident-des-deutschen-stadtetags-an-europaische-kommission-mehr-fur-freie-software-einsetzen/
  8. https://fsfe.org/news/2010/news-20100803-01.sq.html
  9. https://fsfe.org/news/2014/news-20141017-01.sq.html
 10. https://fsfe.org/contribute/internship.sq.html
 11. http://blog.mehl.mx/2014/my-internship-at-fsfe/
 12. https://fsfe.org/news/2014/news-20141017-02.sq.html
 13. https://blogs.fsfe.org/franz.gratzer/2014/10/23/three-autumn-events-2014/
 14. http://audio-video.gnu.org/video/ghm2014/2014-08--kalkhoff--fsfe--ghm.webm
 15. https://blogs.fsfe.org/agger/2014/10/22/announcing-the-libreoffice-conference-for-2015-in-aarhus-denmark/
 16. https://blogs.fsfe.org/guido/2014/10/free-software-in-education-news-%E2%80%93-september/
 17. https://joinup.ec.europa.eu/node/105069
 18. https://joinup.ec.europa.eu/node/104519
 19. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/tyrol-government-shares-test-tool-industry
 20. https://www.fsf.org/blogs/community/registration-opens-for-libreplanet-2015
 21. https://www.fsf.org/news/the-free-software-foundation-opens-nominations-for-the-17th-annual-free-software-awards
 22. http://mjg59.dreamwidth.org/33455.html
 23. http://lwn.net/Articles/615192/
 24. https://fsfe.org/contact/community.sq.html
 25. http://planet.fsfe.org
 26. https://blogs.fsfe.org/puster/2014/10/14/meshcon-2014/
 27. https://blogs.fsfe.org/ao/2014/10/28/dutch-public-broadcaster-moves-away-from-open-standards/
 28. http://matija.suklje.name/my-very-first-commit-to-kde
 29. http://danielpocock.com/positive-results-from-opw-2013
 30. http://hroy.eu/posts/owncloud-encryption-defpub/
 31. https://fsfe.org/news/2014/news-20140326-02.sq.html
 32. http://ec.europa.eu/dgs/informatics/oss_tech/pdf/2011-07-25_ares.pdf
 33. http://fixmydocuments.eu/?page_id=9
 34. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 35. http://fellowship.fsfe.org/join
 36. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list