Buletini i FSFE-së - Prill 2016

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Fri Apr 1 13:30:42 CEST 2016


 = Buletini i FSFE-së - Prill 2016 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201604.sq.html ]

 == Direktiva e BE-së mbi Radiokomunikimet kërcënon lirinë e software-it ==

Ne botuam pozicionet tona lidhur me Direktivën mbi Pajisjet Radio
2014/53/EU (pranuar në Maj të 2014-s), që u kërkon prodhuesve të
pajisjeve të kontrollojnë përputhshmërinë e software-it të çdo
pajisjeje. Në pamje të parë, kjo tingëllon e arsyeshme, por ka
implikacione të forta negative mbi të drejtat e përdoruesve dhe
Software-in e Lirë, konkurrencën e ndershme, risitë, mjedisin, dhe
vullnetarizmin – kryesisht pa përfitime kushedi çë për sigurinë.
Direktiva lypset të sendërtohet nga shtetet anëtare përpara 13 Qershorit
2016. Kemi formuluar disa propozime për institucione të BE-së dhe
shtetet anëtare të BE-së, me hapa konkretë për zgjidhjen e
problemeve.[1]

 == Qeveria e Shteteve të Bashkuara kërkon që software-i i financuar me para publike të botohet si Software i Lirë ==

Meqë një nga synimet tona kryesore për 2016-n është të ushtrojmë trysni
për të kërkuar që krejt software-i i financuar me para publike në BE të
botohet si Software i Lirë, i shohim me miratim disa hapa konkretë të
hedhur në këtë drejtim në anën tjetër të Atlantikut. Veçanërisht, në
fillim të marsit, qeveria e Shteteve të Bashkuara botoi një draft të
Politikave mbi Kodin Burim[2], për të vjelë komentet e publikut deri më
11 Prill. Në to kërkohet që çdo agjenci publike të botojë si Software të
Lirë software të krijuar posaçërisht për to, që të përdoret, studiohet,
ndahet me të tjerë dhe përmirësohet si nga të tjera agjenci publike,
ashtu edhe nga publiku i përgjithshëm.[3]

Do të donim që BE-ja ta ndiqte këtë shembull dhe të dalë me politika të
ngjashme edhe në shkallë europiane. Nëse keni mendime dhe komente lidhur
me Politikat mbi Kodin Burim të ShBA-ve, ju lutemi, dërgojini ato te
lista jonë e diskutimeve në anglisht[4] ose drejtpërdrejt te Matthias
Kirschner. Do të donim të garantonim marrjen parasysh të ideve tuaja
përpara se të bisedojmë me politikanë europianë për këtë temë.

 == Prej bashkësisë ==

Björn Schiessle shkroi në blog rreth veçorisë së re të ownCloud 9.0,
Ndarje Në Re të Federuar[5] që u lejon përdoruesve shkëmbim më të lehtë
të ID-ve të tyre për Re të Federuar dhe të të dhënave mes reve të tyre.

-
Sergey Matveev solli në blogun e tij një përmbledhje rreth demonit
Software të Lirë GoVPN: pse lindi, cilat çështje synon të zgjidhë, dhe
anët teknike të tij[6].

-
Guido Arnold shkroi rreth takimit të Anëtarësisë Shok në Frankfurt, që
përmbante edhe një fjalë rreth licencash Software-i të Lirë, nga Michael
Stehmann[7].

-
Guido Günther shkroi rreth njëkohësimit të kalendarëve me Calypso, dhe
Syncevolution, në N900 që xhiron Maemo[8].

-

 == Ç’kemi bërë tjetër? ==

Anëtari themelues i FSFE-së, Werner Koch, u nderua me Çmimin e Software-
it të Lirë për këtë vit, për Shpënien Më Tej të Software-it të Lirë, me
projektin e tij GnuPG[9]. Çmimi për Shpënien Më Tej të Software-it të
Lirë jepet çdo vit për një individ që ka dhënë një kontribut të madh në
përparimin dhe zhvillimin e Software-it të Lirë.

-
Presidenti Matthias Kirschner dhe bashkërenduesi për Gjermaninë, Max
Mehl mbajtën biseda në Chemnitzer Linuxtage[10]. Veprimtaria qe një
sukses, me shumicën e artikujve tregtarë dhe materialeve promocionale të
avulluara brenda pak kohe nga stenda e mbuluar prej Reinhard Müller,
Katja Müller, Max Mehl dhe Fabian Keil.

-
Vullnetarët tanë në Berlin morën pjesë në fushatën e FSF-së anti-DRM,
kundër kufizimeve dixhitale të propozuara nga W3C për standardin
HTML[11]. Kufizimet dixhitale në standardet web do ta bënin më pak të
kushtueshme dhe politikisht të pranueshme vendosjen e kufizimeve ndaj
përdoruesve.

-
FSFE-ja qe e pranishme me një stendë në CIJ Logan Symposium[12], një
konferencë kushtuar takimit me njëri-tjetrin të ajkës së gazetarëve,
haktivistëve, ekspertëve ligjorë dhe të sigurisë, për të diskutuar
lirinë e shtypit dhe të drejtat dixhitale. Lista e folësve në CIJ
përfshinte Edward Snowden-in, i cili mbajti një fjalë edhe në
Libreplanet[13], një konferencë mbi Software-in e Lirë organizuar nga
FSF-ja.

-

 == Hidhuni Në Veprim ==

Për krejt ju përkthyesit e mrekullueshëm! Na ndihmoni të zgjerojmë
shtrirjen tonë, duke përditësuar faqen 'Përhapni Fjalën'[14] për porosi
të materialeve tona promocionale në gjuhën tuaj. Deri tani, faqja
gjendet në anglisht, gjermanisht, holandisht dhe shqip, por do të ishte
shumë e dëshirueshme të përfshihej në këtë listë çfarëdo gjuhe tjetër.

 == Lajme të mira Software-i të Lirë ==

Zyra e Patentave në Indi u tha "Jo!" patentave të software-it[15] në
udhëzimet e veta të përditësuara, të cilat deklarojnë qartazi se çfarëdo
pretendimi për patentë që bazohet vetëm në software, nuk ka për t’u
pranuar sipas ligjit indian të patentave. Në Poloni, strategjia e re
eQeveri këshillon që për software-in e financuar me para publike për një
sistem të ri të regjistrave publikë duhet parë mundësia e botimit nën
një licencë Software-i të Lirë[16]. Suedia ka përditësuar listën e
'standardeve të Hapura TI' që mund të bëhen të detyrueshëm kur blihet
software dhe shërbime të lidhura me të[17]. Për t’u përfshirë në listë,
standardet TI duhet të zhvillohen haptazi dhe publikisht, s’duhet të
kufizojnë ripërdorimin e standardit, dhe patentat thelbësore për
standardin duhet të ofrohen lirisht.

Falënderime për krejt vullnetarët[18] , Anëtarët Shok[19] dhe korporatat
dhuruese[20] që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj, Polina Malaja dhe Jonas Öberg FSFE[21]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://fsfe.org/activities/radiodirective/
  2. https://sourcecode.cio.gov/SourceCodePolicy.pdf
  3. https://k7r.eu/us-government-commits-to-publish-publicly-financed-software-under-free-software-licenses/
  4. https://mail.fsfeurope.org/mailman/listinfo/discussion
  5. http://blog.schiessle.org/2016/03/14/federated-sharing-whats-new-in-owncloud-9-0/
  6. http://blogs.fsfe.org/stargrave/archives/158
  7. http://blogs.fsfe.org/guido/2016/03/fsfe-meeting-in-frankfurt-with-talk-about-free-software-licenses/
  8. http://honk.sigxcpu.org/con/Contatacs__CardDAV__Calypso_and_the_N900.html
  9. http://www.fsf.org/news/library-freedom-project-and-werner-koch-are-2015-free-software-awards-winners
 10. https://k7r.eu/chemnitzer-linuxtage-misunderstandings-compulsory-routers-and-new-black-nocloud-t-shirts/
 11. http://www.fsf.org/news/anti-drm-activists-go-to-w3c-meeting-to-protest-digital-restrictions-management-in-web-standards
 12. https://logancij.com/
 13. http://www.fsf.org/blogs/community/recapping-day-zero-of-libreplanet-2016
 14. https://fsfe.org/contribute/spreadtheword.en.html
 15. http://sflc.in/press-release-indian-patent-office-says-no-to-software-patents/
 16. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/polish-egovernment-strategy-advocates-open-source
 17. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/sweden-updates-list-mandatory-it-standards
 18. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 19. http://fellowship.fsfe.org/join
 20. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 21. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list