Buletini i FSFE-së - Shkurt 2016

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Thu Jan 28 12:36:29 CET 2016


 = Buletini i FSFE-së - Shkurt 2016 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201602.sq.html ]

 == FSFE-ja bëhet 15 vjeç ==

Te 2016, Free Software Foundation Europe sheh përpara një vit
ngazëllues. Ky është viti i kremtimit të ditëlindjes sonë të 15-të dhe
do të na japë një mundësi të reflektojmë mbi të shkuarën, për të parë
dhe t’ju treguar se si përkrahja juaj na pruri deri këtu. Por ndërkohë
shohim edhe përpara, për t’ua dalë sfidave që na presin.

Që prej 2001-shit, shumëçka ka evoluar për mirë, përfshi ndryshime që as
na kishin shkuar në mendje, pasi një ekip i vogël vullnetarësh prej
vendesh të ndryshme vendosën të bëhen tok, tek Villa Vogelsang në Esen,
Gjermani, dhe të themelojnë Free Software Foundation Europe[1]. Që prej
ahere, ky ekip fillestar veprimtarësh, dhe vetë këta, u rritën tok, si
miq, FSFE-së iu akordua medalja Theodor Heuss Medal për punën tonë për
liri në shoqërinë e informacionit[2], ne u shndërruam në një zë me
ndikim në shkallë vendore dhe europiane, tani kemi presidentin tonë të
tretë dhe jemi bërë një organizëm me shtrirje europiane, me një staf të
përhershëm. Krejt kjo s’do të kish qenë e mundur pa ndihmën tuaj,
anëtarët tanë shok. Këshillat tuaja, përkrahja juaj, kontributi juaj
financiar, veprimtaritë tuaja vendore, marketingu juaj viral, projektet
tuaja për fushata dhe krejt koha që na keni përkushtuar janë të
paçmuara, dhe ajo çka na bëri të fuqishëm. Jemi të prekur dhe të lumtur
që më 2016-n, Free Software Foundation Europe mbështetet në mijëra
shpatulla. Kjo është arsyeja pse këtë vit ua kushtojmë juve, anëtarëve
tanë shok, bashkësisë sonë.

Gjatë vitit, si kremtim të 15 vjetëve të ekzistencës sonë, do t’i
kthehemi kësaj teme me disa veprimtari dhe rrëfime, si një falënderim
për ju. Le t'ia fillojmë me kremtimin e ditës E dua Software-in e Lirë
më 14 Shkurt, sa më shumëngjyrësh që të mundet. Ejani me ne për të
përhapur dashurinë për Software-in e Lirë dhe zhvilluesit e tyre[3]. Dhe
mos harroni të rezervoni datat 2 dhe 4 Shtator[4] si veprimtaritë
kryesore gjatë 2016-s. Kjo është fundjava kur do të organizojmë takimin
e parë më të lartë të FSFE-së - për ju dhe nga ju. Më tepër të dhëna më
vonë.

 == Dita e Lirisë së Dokumenteve i kalohet fondacionit Digital Freedom Foundation ==

Fushata jonë Dita Lirinë e Dokumenteve ka gjysmën e moshës së FSFE-së,
kremtuar për herë të parë më 2008-n si kundërvënie ndaj adoptimit të
standardit OOXML të Microsoft-it[5] - dhe shndërruar mandej në një
kremtim të përvitshëm të Standardeve të Hapura. Gjatë viteve kemi parë
qindra veprimtari anembanë globit, kemi parë grafika mbresëlënëse,
karikatura dhe video frymëzuese dhe kemi parë parti politike, kompani
dhe organizma jofitimprurës ta përdorin Ditën e Lirisë së Dokumenteve
për t’i bërë botës të ditur fuqinë dhe lirinë e ndërveprueshmërisë.

Megjithëkëtë, më 2016-n, FSFE-ja ia kalon fushatën Dita e Lirisë së
Dokumenteve fondacionit Digital Freedom Foundation[6], organizmi i
njohur mbi të gjitha për organizimin e Ditës së Lirisë Software-it. Në
këtë mënyrë, FSFE-ja sheh mundësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Ditës së
Lirisë së Dokumenteve si dita ndërkombëtare e Standardeve të Hapura dhe
të decentralizimit të mëtejshëm të konceptit të fushatës. Këtë vit, Dita
e Lirisë së Dokumentit do të zhvillohet më 30 Mars, 2016.

 == Eurodeputetët votojnë për më tepër Software të lirë në sektorin publik ==

Më 19 Janar, Parlamenti Europian pranoi në seancë plenare raportin,
nismë e tyre, "Drejt Një Tregu Unik Dixhital" përgatitur në bashkëpunim
nga Kaja Kallas (ALDE) e Komitetit të Industrisë, Kërkimeve dhe
Energjisë (ITRE) dhe Evelyne Gebhardt (S D) nga Komiteti i Tregut të
Brendshëm dhe Mbrojtjes së Konsumatorit. Ekipi i FSFE-së për politikat i
pat shtuar ndryshime skicës së raportit dhe është i kënaqur të
konstatojë se versioni final i miratuar në seancë plenare përfshin disa
nga pohimet pozitive që lidhen me me Software-in e Lirë.

Në mënyrë të veçantë, raporti i kërkon Komisionit Europian dhe Këshillit
të BE-së të shtojë përdorimin e Software-it të Lirë dhe ripërdorimin e
tij në administrata publike, si një zgjidhje për rritjen e
ndërveprueshmërisë. Raporti promovon gjithashtu përparësitë e Software-
it të Lirë, kur vjen puna te siguria, dhe i bën thirrje BE-së t’i
përkushtohet shtimit të përdorimit të Software-it të Lirë në institutet
arsimore dhe administratat publike. Shpresojmë që Komisioni Europian do
të ndjekë shembullin e parlamentit dhe do të vërë në jetë rekomandimet
për shtimin e përdorimit të Software-it Publik në sektorin publik.

 == Nga bashkësia ==

Daniel Pocock-u shkruan në blogun e tij rreth lirisë për ta lënë
telefonin tuaj të fikur ose në shtëpi[7], dhe diskuton pse do të duhej
t’ia fillonit duke blerë një orë.

-
Hook-u shkruan rreth përvojës së tij pozitive me kalimin te dëshmitë
Let's Encrypt për shërbyesin e vet[8] dhe ofron disa lidhje për më tepër
të dhëna se si ta bëni edhe ju.

-
Shumë prej nesh këto ditë ndjehen të trishtuar nga humbja e Ian Murdock-
ut. Kontributi i tij në botën e Software-it të Lirë dhe të sistemit
Debian janë pa fund. Daniel Pocock-u, në blogun e tij, grumbulloi disa
hollësi, ndjesi dhe përkushtime të tjera nga njerëzit mbi Ian Murdock-
un[9].

-
Marcus Möller raporton dhe sjell një përmbledhje rreth Freedomvote-
ës[10] - një fushatë e suksesshme 'pyetni kandidatin tuaj' organizuar
nga FSFE Zvicër për zgjedhjet e këtij vitit.

-
Erik Albers provoi për herë të parë FirefoxOS-in dhe i kërkon Mozilla-s
të shtojë liri te tregu i aplikacioneve për FirefoxOS[11].

-
Grupi i FSFE-së për Berlinin organizoi një veprimtari instalimi
Software-i të Lirë dhe çliroi me Debian 23 PC[12] që do t’u jepen
shoqatave dhe shkollave për refugjatët.

-

 == Ç’kemi bërë tjetër? ==

FSFE-ja i ofroi Komisionit Europian mendime dhe vlerësime lidhur me
caktimin e përparësive në standardet TIK, si dhe përgjigje në konsultime
publike për adoptimin e një Plani Përparësish Standardesh TIK[13]. Që
BE-ja të mund të arrijë në një treg unik dixhital të vërtetë, i cili
lejon ndërveprueshmëri dhe promovon konkurrencën, është e nevojshme që
standardet të jenë të hapura, minimaliste dhe të sendërtueshme me
Software të Lirë. Të tjera pika të nxjerra në pah janë botimi i një
formule referencë sendërtimi, të botuar nën një licencë Software-i të
Lirë, hedhja në qarkullim si Software i Lirë i krejt programeve të
zhvilluara me paranë publike, dhe shmangia e praktikave të dëmshme të
licencimit, të tilla si FRAND, në fushat e software-it, internetit dhe
web-it.

-
Tok me April-in dhe organizma të tjerë, FSFE-ja nënshkroi një deklaratë
të përbashkët mospajtimi kundër marrëveshjes së partneritetit të
nënshkruan me ministrisë së arsimit të Francës dhe Microsoft-it[14] mbi
zgjidhje TI në shkolla. Partneriteti shtjellohet rreth stërvitjes së
mësuesve për t’u bërë të aftë në përdorimin e mjedisit Microsoft, rreth
furnizimit të një ekosistemi re dhe një platforme për e-mësimin, të
cilat, në tërësinë e tyre, shpien në kontrollin e plotë të sektorit TI
në shkollat frënge nën mbikëqyrjen e Microsoft-it. Me këtë marrëveshje
ministria po i detyron shkollat dhe nxënësit të gjenden nën një tregtues
të dhënë pronësor.

-
FSFE-ja organizoi një mbledhje në kongresin e 32-të Chaos Communication
Congress[15] në Hamburg, Gjermani, përfshi 12 sesione të vetëorganizuar
dhe GNU/Burger-in[16].

-
Pak ditë para Krishtlindjeve dhe plotësimit të paketës Mbrojtje e të
Dhënave në BE, krejt eurodeputetët morën me postë fletëpalosjen tonë mbi
vetëmbrojtjen e email-it. Me këtë veprim donim t’u kujtonim hartuesve të
politikave se sa i rëndësishëm është fshehtëzimi për drejtat për
privatësi të kujtdo[17].

-

 == Hidhuni Në Veprim ==

Më 2016, mbushen 15 vjet nga lindja e FSFE-së dhe 5 vjet nga ajo e ditës
E dua Software-in e Lirë: Ejani me ne në kremtimin e Software-it të
Lirë, për të shpalosur vlerësimin tuaj për zhvilluesit e Software-it të
Lirë, më 14 Shkurt[18]! #ILoveFS

-
Si çdo vit, do të kemi një stendë në FOSDEM dhe shumë anëtarë të
bashkësisë sonë do të flasin ose vijnë për të dëgjuar bisedat. Është një
nga mundësitë më të mira në vit për t’u takuar me mjaft persona nga
FSFE-ja.

-

 == Lajme të mira Software-i të Lirë ==

Nga parlamenti i Francës u pranua një shtesë për ligjin e ardhshëm të
saj për Republikën Dixhitale që e detyron administratën publike të bëjë
publik kodin burim të zgjidhjeve të posaçme software[19]. Grenobli, i
përkushtohet Software-it të Lirë[20] për të cilin thuhet se ndihmon në
shtimin e pjesëmarrjes së qytetarëve, shkurtimin e kostove, dhe
lehtësimin e shkëmbimit të dijes. Dhe meqë jemi te licencat, familja e
licencave të Software-it të Lirë u shtua me tri licenca të reja të
hartuara nga qeveria e provincës kanadeze të Kebekut[21]. Kjo do të
duhej të nxiste administratën publike të provincës për të ndarë me të
tjerët zgjidhjet e veta TIK.

Faleminderit për krejt vullnetarët[22] , anëtarët shok[23] dhe
korporatat dhuruese[24] që bëjnë të mundur punën tonë,

redaktorët tuaj, Polina Malaja dhe Erik Albers FSFE[25]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. http://mail.fsfeurope.org/pipermail/press-release/2001q2/000002.html
  2. https://fsfe.org/news/2010/news-20100510-01.en.html
  3. https://fsfe.org/campaigns/ilovefs/
  4. https://wiki.fsfe.org/FSFE%20summit
  5. https://fsfe.org/news/2008/news-20080220-01
  6. http://documentfreedom.org/news/2016/news-20160122-01.html
  7. http://danielpocock.com/do-you-own-your-phone-or-it-owns-you
  8. http://matija.suklje.name/i-am-using-lets-encrypt-on-my-server-now
  9. http://danielpocock.com/ian-murdock-police-brutality
 10. https://blogs.fsfe.org/mmoeller/2015/12/15/freedomvote-a-summary/
 11. http://blog.3rik.cc/2016/01/put-freedom-into-firefox-os-marketplace/
 12. https://wiki.fsfe.org/FellowshipEvents/Berlin/2016-01-16-Free-Software-Installation
 13. https://fsfe.org/news/2016/news-20160118-01.en.html
 14. https://fsfe.org/news/2015/news-20151203-01.en.html
 15. https://events.ccc.de/congress/2015/wiki/Assembly:Free_Software_Foundation_Europe
 16. http://blog.3rik.cc/2015/12/fsfe-assembly-during-chaos-communication-congress-32c3/
 17. http://blogs.fsfe.org/polina/?p=69
 18. https://fsfe.org/campaigns/ilovefs/
 19. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/france-parliament-source-code-should-be-made-public
 20. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/grenoble-commits-free-software
 21. https://joinup.ec.europa.eu/community/osor/news/open-source-initiative-approves-quebec-licence
 22. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 23. http://fellowship.fsfe.org/join
 24. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 25. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list