Buletini i FSFE-së - Qershor 2015

press at fsfeurope.org press at fsfeurope.org
Wed Jun 10 19:20:33 CEST 2015


 = Buletini i FSFE-së - Qershor 2015 =

[ Lexojeni online: https://fsfe.org/news/nl/nl-201506.sq.html ]

 == Për kë bien këmbanat? ==

Të mërkurën e parë të majit, një koalicion organizmash për liri
dixhitale, përfshi FSFE-në, dhe shumë veprimtarë individualë organizuan
Ditën Ndërkombëtare Kundër DRM-së[1] për 2015-n, për ndërgjegjësim rreth
administrimit të kufizimeve dixhitale, një mekanizëm i kudondodhur dhe i
rrënjosur thellë, i konceptuar për t’u plaçkitur shtetasve konceptin e
pronësisë.

Në një vijë me mbrojtës të shumtë të të drejtave të konsumatorit dhe të
lirive dixhitale, botuam një deklaratë ku u kërkohet ligjbërësve të
garantojnë të drejtën tradicionale për të gëzuar[2] pronën tonë. Kjo
është bërë e nevojshme nga gërryerja e pandalshme e derisotshme e të
drejtave për të ndrequr dhe modifikuar gjëra që i kemi në pronësi dhe
nga vala e rinuar e trysnisë nga kompani të ndryshme prodhuese, të tilla
si John Deere[3], një nga prodhuesit më të mëdhenj të pajisjeve
bujqësore, për t’u mohuar klientëve të tyre të drejtën për të modifikuar
çka kanë në pronësi, ashtu si duan ata, duke u bazuar në ligje të
dëmshme, të tillë si US Digital Millennium Copyright Act, i cili ua
ndalon konsumatorëve të anashkalojnë apo të heqin qafe defekte në gjëra
që kanë blerë.

 == FSFE-ja po kërkon një arkitekt sistemesh ==

Falë rritjes së qëndrueshme që kemi parë vitet e fundit, infrastruktura
jonë ka mbërritur në një fazë ku nuk është më në gjendje të plotësojë
nevojat tona. Ndaj, po kërkojmë një arkitekt sistemesh[4] që të na
ndihmojë të dokumentojmë nga se varet infrastruktura jonë ekzistuese, ta
kalojmë këtë në një arkitekturë të mirëmbajtshme, dhe të ndihmojë
përgjegjësit e sistemit tonë të migrojnë shërbimet tona në arkitekturën
e re.

Nëse keni një ide të mjaftueshme mbi Software-in e Lirë, mbi krijim
dokumentimi teknik, virtualizim, MTA, shërbyes baze të dhënash, dhe
shërbime web, dhe dëshironi të na ndihmoni të sigurojmë
përshkallëzueshmërinë dhe funksionimin e vazhdueshëm të shërbimeve të
Anëtarësisë Shok dhe mjeteve tona të brendshme, atëherë jeni i
mirëpritur të aplikoni duke u lidhur me drejtorin tonë ekzekutiv, Jonas
Öberg[5]. Ky është shansi juaj për të fituar një kuptim më të thellë të
sfidave teknike me të cilat ndeshet stafi dhe vullnetarët tanë, dhe për
të na ndihmuar të kapërcejmë këto vështirësi!

 == Diçka krejt tjetër ==

- Guido Arnold, bashkërenduesi i ekipit të FSFE-së për arsimin, mbajti
  një fjalë në DORS/CLUC në Zagreb rreth adoptimit të Software-it të
  Lirë në arsim, nëpër Europë dhe shkroi një postim të shkurtër rreth
  saj[6].

- Presidenti ynë, Karsten Gerloff, shkroi një postim blogu ku shpjegohet
  pse mundësia e re në Facebook për fshehtëzim njoftimesh email-i përmes
  përdorimit të standardit OpenPGP është e padobi[7]. Thelbi është që,
  në Facebook, produkti jeni ju dhe “veçoria” e re nuk do t’i mbrojë të
  dhënat tuaja as nga organet duargjata të ligjit, dhe as nga industria
  e reklamave, e gatshme të paguajë.

- Shoqata[8]  Fundaţia Ceata[9], bashkëpunëtore e jona, po organizon në
  Bukuresht, Rumani, më 6 dhe 7 Qershor, një konferencë të quajtur
  Coliberator '15[10]. Në konferencë, si folës gjatë edicioneve të
  kaluara, kanë marrë pjesë presidenti ynë Karsten Gerloff dhe
  themeluesi i lëvizjes për Software të Lirë, Richard M. Stallman.

- Nga grumbullimet planet:

    - Anëtari shok Kevin Keijzer shkruan mbi çlirimin e një Thinkpad
      T60p[11] për një tjetër anëtar shok, Andrean, i cili procesin e
      shqyrton këtu[12].

    - Daniel Pocock u tregon njerëzve se si të përdorin Blender-in për
      përpunime videosh[13].

    - Max Mehl, praktikant i dikurshëm, shkruan mbi përshtypjet e tij si
      vullnetar në Afrikë[14]. Maksi ofron një perspektivë pakëz të
      çuditshme, por që të hap sytë, mbi mënyrën se si tanzanianët
      perceptojnë teknologjinë.


 == Aktivizohuni: bëjuni thirrje ligjvënësve të kundërshtojnë TTIP-në, CETA ==

Ky buletin nisi me DRM-në; dhe do të mbyllet me DRM-në: aktorë pa
skrupuj po përpiqen të përdorin marrëveshje tregtare të negociuara në
fshehtësi, TTIP (Transatlantic Trade and Investment Partnership) dhe
CETA (Comprehensive Economic and Trade Agreement) për ta bërë tejet të
vështirë për qeveri të ardhshme heqjen qafe të ndalimeve të tanishme
ndaj anashkalimit të mekanizmave të kufizimeve dixhitale. Në vend të
kësaj, ata do t’i detyronin qeveritë të zbatojnë dënime edhe më të rënda
për këdo që guxon të luajë me pronësinë e tyre.

Ne të FSFE-së do të donim ta shmangnim këtë të ardhme. Ndaj ju kërkojmë
të lidheni me përfaqësuesit tuaj në parlamentin europian dhe në ente të
ndryshme legjislative kudo në Europë dhe t’i vini në dijeni se dëshironi
që ligjet europiane të mbeten pronë e ligjvënësve europianë Kërkojuni
atyre të kundërshtojnë marrëveshje të vendosura në fshehtësi[15];
kërkojuni atyre të kërkojnë transparencë dhe të qenët të hapur; dhe, më
e rëndësishmja, bëjeni tani dhe tregojuni ligjvënësve tuaj gjërat që do
të donit të bënit me ato çka keni në pronësi.

Do të ishte e dëshirueshme t’u tregonit se ç’nuk do të ishit në gjendje
të bënit, nëse këto marrëveshje tregtare të fshehta do të miratoheshin,
por ja që s’mundeni: nuk e njohim gjendjen e tanishme të pazareve. Kjo
është mjaft shqetësuese, por mos u dëshpëroni: shumica e të zgjedhurve
tanë janë po ashtu në errësirë, dhe ka pak gjasa që kjo t’u pëlqejë. Kjo
na ofron një mundësi unike t’i sintonizojmë ata kundër marrëveshjeve,
përpara se këto të finalizohen dhe të paraqiten për miratim: le t’i
bëjmë përfaqësuesit tanë t’i kundërshtojnë këto pazare, tani, sa munden
të marrin një vendim të bazuar në parime demokratike dhe pa u dashur të
ndajnë nëse përfitimet ekonomike tejkalojnë dëmin e propozuar ndaj një
shoqërie të lirë.

Falënderime për krejt vullnetarët[16], anëtarët shok[17] dhe korporatat
dhuruese[18] që bëjnë të mundur punën tonë,
Heiki Lõhmus[19], FSFE[20]

-- 
Free Software Foundation Europe <https://fsfe.org>
FSFE News <https://fsfe.org/news/news.en.rss>
Upcoming FSFE Events <https://fsfe.org/events/events.en.rss>
Fellowship Blog Aggregation <https://planet.fsfe.org/en/rss20.xml>
Free Software Discussions <https://fsfe.org/contact/community.en.html>

  1. https://www.defectivebydesign.org/dayagainstdrm
  2. https://fsfe.org/news/2015/news-20150506-01.sq.html
  3. http://copyright.gov/1201/2015/comments-032715/class%2021/John_Deere_Class21_1201_2014.pdf
  4. https://fsfe.org/news/2015/news-20150527-01.sq.html
  5. https://fsfe.org/about/oberg/index.sq.html
  6. http://blogs.fsfe.org/guido/2015/06/free-software-in-education-keynote-at-dorscluc/
  7. http://blogs.fsfe.org/gerloff/2015/06/01/facebook-offers-to-send-you-encrypted-emails-this-wont-help-you/
  8. https://fsfe.org/associates/associates.sq.html
  9. https://ceata.org/
 10. http://coliberator.ro/2015/
 11. http://blogs.fsfe.org/the_unconventional/2015/05/08/flashing-coreboot-on-a-t60-with-a-raspberry-pi/
 12. https://blogs.fsfe.org/ao/2015/05/29/how-i-got-a-thinkpad-t60p-coreboot-gnu-linux-libre-trisquel-laptop/
 13. http://danielpocock.com/quick-start-blender-video-editing
 14. http://blog.mehl.mx/2015/technology-and-free-software-in-tz/
 15. https://blogs.fsfe.org/lucile.falg/2014/08/11/ttip-policy-laundering-a-few-reasons-for-free-software-communities-to-get-angry/
 16. https://fsfe.org/contribute/contribute.sq.html
 17. http://fellowship.fsfe.org/join
 18. https://fsfe.org/donate/thankgnus.sq.html
 19. https://fsfe.org/about/repentinus/index.sq.html
 20. https://fsfe.org/index.sq.html


More information about the Newsletter-sq mailing list